×
  • Lajme
  • Lajme

    Isa Mustafa nga selia e partisë flet për Qeverinë e re: Po presim, nuk kemi ende letër nga Thaçi

    Reporteri
    21 Prill 2020 | 13:30

    Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se nuk e di se si do të veprojë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pasi në media u raportua  se presidenti gjatë ditës së sotme pritet t’i drejtohet LDK-së për t’i kërkuar një mandatar për Qeverinë e re.


    Mustafa  në një adresim para mediave nga selia e LDK-së ka thënë se ende nuk kanë marrë asnjë letër zyrtare nga presidenca dhe që nuk e di nëse kjo mund të ndodhë gjatë kësaj jave, shkruan Reporteri.

    “Akoma nuk kemi ftesë, kur të na thërrasin apo të kemi ndonjë letër zyrtare nga presidenca, do të përgjigjemi dhe do të shohim se çfarë të bëjmë”, u shpreh shkurt Mustafa.

    Mustafa komentoi edhe deklaratat e mbrëmshme të kreut të VV-së, Albin Kurti i cili tha se Mustafa më shumë po e përdorë shkopin për ta goditur Vjosa Osmanin sesa për tu mbajtur.

    Mustafa tha se deklaratat e tilla janë të ulëta sidomos kur bëhet fjalë për një grua që është edhe nënë e dy fëmijëve. Ai shtoi se me Osmanin ka pasur dhe vazhdon të ketë marrëdhënie të mira, pavarësisht qëndrimeve të saj për mocionin.

    “Ka dalë një komunikatë e LDK-së, para së gjithash është deklaratë e ulët. Të thuhet se një grua, një nanë po sulmohet me shkop është shumë e ulët. Për më tepër relacionet e mia me Vjosa Osmanin kanë qenë të mira, mbesin të mira pa marrë parasysh qëndrimet e saj sa i përket mocionit të mosbesimit apo koalicionit. Për më tepër unë kurrë nuk kam manifestuar sjellje të shkopit apo sjellje tjera agresive për të cilat sot mundet Kurti apo dikush tjetër me i vu në emrin tonë”, u shpreh Mustafa. Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!