×
  • Lajme
  • Lajme

    Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese thotë se vendimi është juridik, jo politk

    Reporteri
    29 Maj 2020 | 16:21

    Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka komentuar vendimin e fundit të kësaj Gjykate, për dekretin e Presidenti të vendit, Hashim Thaçi, për mandatarin për formimin e Qeverisë së re.


    I pyetur se a ishte i drejtë vendimi i mbrëmshëm i kësaj Gjykate, e ku e drejtë i është dhënë Presidentit për dekretin, Kryeziu ka pohuar se është vendim i drejtë dhe i cili duhet të zbatohet nga institucionet.

    “Po ky vendim është i drejtë. Vendimi duhet të zbatohet nga institucionet. Çdo institucion është i obliguar që të respektojë vendimin e Gjykatës. Është obligim i tyre ligjor”, ka thënë ai  për “Front Online”.

    Për sa i përket pretendimeve se Gjykata është dashur ta hedh poshtë dekretin e Presidentit, bazuar në atë se në vitin 2014, ka dalë një vendim për sa i përket çështjes së mandatarit, Kryeziu ka theksuar se asokohe rasti ishte më ndryshe.

    “Ky është një vendim tjetër nga ai i 2014-ës pasi që edhe rasti është tjetër. Ky vendim nuk është politik por është vendim juridik”, ka thënë tutje për “Front Online”, ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese.

    Në ndërkohë, më 30 prill të këtij viti, LVV-ja kishte dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, me të cilin Avdullah Hoti, i`u propozua Kuvendit të Republikës së Kosovës si kandidat për kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës. Parashtruesit e kërkesës pretendonin se Dekreti nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e qeverisjes dhe ndarja e pushtetit], paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit], paragrafin 14 të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit], si dhe me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

    Në vlerësimin e kësaj kërkese, Gjykata Kushtetuese mbrëmë vendosi: (i) njëzëri që kërkesa e parashtrueseve të kërkesës është e pranueshme; (ii) njëzëri që Dekreti i kontestuar i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës; (iii) me shumicë që Dekreti i kontestuar është në përputhshmëri me paragrafin (14) të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës; (iv) njëzëri që të shfuqizohet masa e përkohshme e përcaktuar përmes Vendimit të 1 majit 2020; dhe (v) njëzëri që të refuzohet kërkesa për seancën dëgjimore.

    Ndërsa lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa sot ka pohuar se seanca për formimin e qeverisë “Hoti”, pritet të mbahet të shtunën ose të hënën. /Reporteri.net/13

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!