Autor: Mirlind Behluli
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enever Hasani, dje në një deklarim për media tha se u.d. e Presidentit, Vjosa Osmani, nuk mund të caktojë mandatarin për formimin e Qeverisë. Por ndryshe nga ai, mendon ish-kolegia e tij në Kushtetuese, Gjyljeta Mushkolaj, shkruan Reporteri.net.
Mushkolaj, që ishte pjesë e Gjykatës Kushtetuese për një mandat, tha për Gazetën Online “Reporteri.net.” se Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh ndonjë normë që bllokon funksionimin e institucioneve të Kosovës.
“Thjeshtë, Kushtetuta është e hartuar në atë mënyrë, qe të mos bllokohet funksionimi i shtetit. Njëra prej arsyeve, jo e vetmja, është edhe caktimi i mandatarit”, tha Mushkolaj për Reporteri.net.
E deklarimin e Mushkolaj, e përforcon fakti i praktikës së mëhershme kushtetuese.
“Sipas vendimit, mandatari i nominuar, z.Hashim Thaçi, në afatin më të shkurtër kohor, ftohet të bëjë konsultimet e nevojshme me partitë politike për të formuar koalicionin për Qeverinë e re dhe të dalë me propozim para Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga Presidenca në vitin 2011.
Dje gjatë ditës, Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, tha se u.d. e Presidentes nuk ka të drejtë të caktojë mandatarin për formimin e Qeverisë./Reporteri.net