Ish-kandidati për kryetar të Drenasit i bashkohet Vetëvendosjes

Xhavit Drenori që në zgjedhjet e fundit lokale kandidoi i pavarur për kryetar të Drenasit, i është bashkuar partisë Vetëvendosje, këtë e ka bërë të ditur Albin Kurti.


Albin Kurti përmes një postimi në Facebook ka treguar për përgatitjen akademike të Xhavit Drenorin.

Kurti thotë se ardhja e Drenorit i sjellë dije, energji dhe përvojë VV-së..

Postimi i plotë i tij:

Të mërkurën që shkoi doktoroi në Universitetin Evropian të Tiranës, në drejtimin e Shkencave Sociale – Marrëdhëniet Ndërkombëtare. Xhavit Drenori sot na u bashkua në VETËVENDOSJE!.

Paraprakisht ai ka bërë mgjistraturë në Universitetin “Angel Kanchev” në Ruse, Bullgari, në vitet 2004-2006 dhe në Universitetin Teknik në Chemnitz, Gjermani. Edhe më herët se kaq, studimet bazike, menjëherë me të mbaruar lufta, i ka kryer në Universitetin e Prishtinës dhe në Universitetin e Hamburgut për gjuhë dhe letërsi gjermane.

Xhavit Drenori ka kryer edhe një mori studimesh, kursesh e trajnimesh posaçërisht në fushën e qeverisjes lokale dhe të politikave publike, sidomos në Gjermani, ku edhe ishte bursist i Bundestagut në vitin 2008. Po ashtu, ai ka dhënë mësim si profesor i gjuhës gjermane.

Nga viti 2013 e deri më 2018 ishte asamblist në Kuvendin Komunal në Drenas. Luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative në shoqëri, të filluara në asamblenë komunale në Drenas dhe më pas të shprehura edhe përmes videoinçizimeve të shkurtëra në rrjete sociale, do ta vazhdojë si aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Xhavit Drenori është me prejardhje nga Drenica: shkollën fillore “Rilindja” në Dobroshec dhe gjimnazin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Drenas.

Si politikan tejet aktiv e aktivist i shoqërisë civile, si njeri i pasionuar pas dijes dhe mësimdhënës i dashur për studentët, Xhaviti na sjell më shumë dije dhe përvojë, energji dhe punë në Lëvizje.