×
  • Lajme
  • Lajme

    Ish-këshilltari i Kurtit: Vendimi për anulimin e votave të Adrijana Hoxhiq dëshmon që Gjykata Supreme nuk i njeh konceptet themelore

    Reporteri
    18 Mars 2021 | 21:00

    Gjykata Supreme me anë të një vendimi anuloi votat e iniciativës Adrijana Hoxhiq duke arsyetuar se ka pasur vota të orkestruara dhe se votat e fituara nga Hoxhiq nuk korrespondojnë me numrin e banorëve të komunitetit boshnjak në ato zona. Por me këtë arsyetim të Supremes nuk është pajtuar Durim Berisha, ish-këshilltar i Albin Kurtit, në qeverisjen 50 ditëshe ‘Kurti 1’.


    Në një intervistë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’, Durim Berisha, njohësi i çështjeve kushtetuese, ka thënë se ky vendim i Gjykatës Supreme dëshmon se ajo nuk i njeh konceptet themelore të së drejtës zgjedhore.

    ‘’Është dëshmuar tani se Gjykata Supreme e Kosovës nuk i njeh konceptet themelore të së drejtës zgjedhore. Për fat të keq, si duket nën ndikimin e opinioneve të dhëna në studiot televizive, kjo Gjykatë konstatoi se votat e një subjekti politik të fituara në një zonë të banuar me shumicë nga një minoritet tjetër (por jo vetëm nga pjesëtarët e atij minoriteti) janë të pavlefshme’’, tha Berisha për Reporteri.net.

    Tutje, ish-këshilltari i Kurti ka thënë se pavarësisht që organizimi i Listës Serbe nuk na ka pëlqyer, gjyqtari gjykon mbi bazën e akteve juridike e jo mbi atë emocionale.

    Ka thënë se vota është e lirë dhe askush nuk mund të obligohet të votojë vetëm për disa subjekte të caktuara.

    ‘’Duhet theksuar se Kushtetuta e Kosovës ju garanton pakicave pragun minimal të përfaqësimit dhe mbrojtje nga jopërfaqësimi, sepse dihet që numri i ulëseve në Kuvend tejkalon përqindjen në raport me strukturën etnike të popullsisë në Kosovë. Mirëpo, duhet theksuar se vota është ndër të tjera e lirë, e barabartë dhe e fshehtë. Askush nuk mund të obligohet të votojë vetëm për disa subjekte të caktuara dhe asnjë subjekti nuk mund t’i ndalohet të votohet nga pjesëtarë të një komuniteti tjetër. Procesi zgjedhor nuk është sikurse konkurset në Universitetin e Prishtinës ku pjesëtarët e komunitetit garojnë brenda kuotës së përcaktuar për atë komunitet, por paraqet një garë kur pjesëmarrësi paraqet ofertën për tërë elektoratin. Deputeti është përfaqësues i popullit të Kosovës edhe atëherë kur ai fiton ulëse përmes vendeve të garantuara për pakicat etnike. Pavarësisht që organizimi i Listës Serbe nuk na ka pëlqyer, gjyqtari gjykon mbi bazën e akteve juridike dhe jo mbi bazën e emocioneve’’, tha të enjten, Durim Berisha për Reporteri.net.

    Në intervistën për Gazetën Online ‘Reporteri.net’, Berisha, ka folur edhe për çështjen e konstituimit të Kuvendit duke theksuar se së pari votohet për kryetarin e këtij institucioni e pastaj për qeverinë e presidentin.

    E për zgjedhjen e këtij të fundit, njohësi i çështjeve kushtetuese, ka theksuar interpretimin e Gjykatës Kushtetuese për rastin Pacolli, i cili sipas tij, thotë se gjatë votimit për president në kuti duhet të jenë 120 vota. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!