×
  • Lajme
  • Lajme

    Ish-ushtari i UÇK-së e UÇPMB-së i përndjekur nga Lugina s’po mund të pajiset me dokumente në Gjilan

    Reporteri
    13 Tetor 2019 | 20:14

    Ka nëntë vjet që Sadik Aliji jeton në Velekincë të Gjilanit.


    Por, 54-vjecari nga Lugina e Preshevës nuk ka asnjë dokument identifikues të vlefshëm nga shteti i Kosovës.

    Të vetmin dokument që ia kanë lëshuar institucionet kosovare, thotë të jetë një leje qëndrimi me afat vetëm njëvjeçar, e cila i ka skaduar në vitin 2016, raporton KTV.

    Ai ankohet se në mungesë të një dokumenti të vlefshëm nuk po mund të kryej asnjë shërbim, derisa thotë kërkesat e tij nuk janë marrë parasysh as nga komuna e as nga Ministria e Punëve të Brendshme.

    Aliji thotë se kishte qenë pjesëtar i UÇPMB-së në Luginë dhe pjesë e UÇK-së në Kosovë. Gjatë vitit 2008, ai kishte ikur nga Serbia për në Austri, kur institucionet gjyqësore serbe e kishin dënuar në mungesë me 8 vjet burgim me akuzën për krime lufte.

    Nga frika se atje do të arrestohej, Aliji ishte zhvendosur në Zvicër, nga ku është kthyer në Kosovë përmes MPB-së gjatë 2010-s.

    Ai ankohet se tash e një vit nuk po mund ta marrë as pensionin e veteranit.

    Zyrtarë të Zyrës për Luginën e Preshevës në Komunën e Gjilanit, thonë se janë mbi 600 raste. Sipas kësaj zyre, qytetarët po hasin pengesa në MPB.

    Zëvendësministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, ka thënë se e mirëpret Skender Alijin, për ta diskutuar mundësinë e zgjidhjes së problemit të tij.

    Zeka ka thënë se shumë qytetarë nuk paraqesin dokumente valide për të marrë këtë leje.

    Një udhëzim administrativ i nxjerrë së fundmi nga MPB-ja, mundëson lëshimin e lejeqëndrimeve 5-vjeçare.

    Ndërsa pas kësaj periudhe, qytetarëve nga Lugina e Preshevës u mundësohet aplikimi për marrjen e shtetësisë së Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!