×
  • Lajme
  • Lajme

    Iu helmuan të gjithë anëtarët e familjes, burri nga Deçani thotë se barnat po iu duhet t’i blejnë vetë

    Reporteri
    13 Korrik 2021 | 16:03

    11 anëtarë të një familje të fshatit Izniq janë helmuar. Ndonëse zyrtarisht ende nuk i dinë shkaqet e këtij helmimi, familjarë të tyre u bëjnë thirrje institucioneve që të qëndrojnë më pranë tyre në këtë kohë të vështirë.


    Mbi 1 mijë pacientë nga e shtuna kanë marrë shërbime në QKMF në Deçan. Ndërsa, mbi 20 në gjendje më të rëndë janë referuar në Spitalin Rajonal të Pejës.

    Sadik Çeku nga fshati Izniq tregon për KosovaPress se si të gjithë anëtarët e familjes janë helmuar. Për më tepër tregon edhe telashet që po kanë për të marrë shërbime.

    “Komplet familjen e kam këtu, janë të helmuar. Shenjat e helmimit janë diarreja, vjellje, dhimbje koke, lodhje. Këto kryesisht janë. Dëgjova një donacion qe po jepet prej qytetarëve po blejnë injeksione se nuk kanë as injeksione këta këtu. Në bazë të mediave po thuhet që uji ne nëntë fshatra. Po këtu po shoh (banorë) edhe të Deçanit, Carabrekë dhe të gjitha fshatrave”, tregon ai.

    Më tej, flet për gjendjen shëndetësore të 11 anëtarëve të familjes.

    “11 anëtarë i kemi, 11 janë helmuar. […] Vjehrra e ka gjendjen pak më keq, këta të tjerët janë pak më mirë”, shton ai.

    Banori i fshatit Izniq kritikon institucionet e vendit, meqë thotë se sot do te duhet të ishin të gjithë pranë familjarëve.

    “Barnat duhet me i ble, shumica po janë por po duhet me i ble. Po duhet me u gjend ashtu qysh po mundem. Ka edhe që po shkojnë në privat në spitale të tjera. Ishte dashur që qeveria komplet me qenë këtu, është dashur ministri e komplet me qenë këtu. Me mijëra njerëz janë të sëmurë, nuk është e vërtetë që po thonë 100 e 200”, deklaron ai.

    Si shkak i helmimit të shumë qytetarëve, Komuna e Deçanit ka shpallur gjendje emergjente.

    Dyshimet zyrtare për shkakun e helmimit janë te një degë e furnizimit të ujësjellësit “Hidrodrini”.

    Ndërkaq, sipas të dhënave nga Drejtoria e Shëndetësisë, nga dita e shtunë e deri më sot në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan kanë kërkuar ndihmë shëndetësore mbi 1 mijë pacientë. Shumica prej tyre kanë simptomat e njëjta të helmimit.

    Prokuroria e Pejës, ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me shkaqet e këtij helmimi./KP/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!