×
  • Lajme
  • Lajme

    Kabllogrami i Kosnett, DASH i shqetësuar për personelin diplomatik si pasojë e Covid-19

    Reporteri
    24 Shkurt 2021 | 8:12

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Phillip Kosnett, i ka dërguar kabllogram Departamentit Amerikan të Shtetit, ku ka treguar për gjendjen shëndetësore të stafit të Ambasadës.


    Kosnett në këtë kabllogram i ka thënë DASH-it se diku rreth 20 përqind e stafit kryesisht lokal janë infektuar me COVID-19.

    Diplomati amerikan ka ngritur shqetësimin se Kosova po sillet sikur një vend që nuk ka koronavirus.

    Ai ka vënë në pah kontrollin joefektiv të COVID-19 të institucioneve shëndetësore.

    “Rreth 20 për qind e personelit të ambasadës janë infektuar me COVID-19, dhe shumica dërmuese janë personel lokal, që është shenjë për kontrollin joefektiv të sëmundjes në Kosovë. Kosova sillet sikur një vend që nuk ka raste me COVID-19…Por, Kosova është një shtet i shkatërruar nga pandemia”.

    “Derisa Departamenti i Shtetit të jetë në gjendje të sigurojë vaksinë për vendet e shërbimit si Prishtina, ndikimi i pandemisë në shëndet, mirëqenie dhe produktivitet do të mbetet i thellë”.

    Në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës për shqetësimin e ngritur nga ambasadori amerikan Kosnett dhe situatën me diplomatët amerikanë që shërbejnë jashtë Shteteve të Bashkuara, një zëdhënës tha se “deri sot DASH ka marrë rreth 23 për qind, ose 73 mijë e 450 doza nga 315 mijë që ka kërkuar. Kjo sasi do të mbulonte në tërësi forcën punonjëse të Departamentit brenda dhe jashtë vendit dhe do të përfshinte të gjithë ata që punojnë nën autoritetin e Shefit të Misionit, përfshirë anëtarët e familjeve, partnerët ndërinstitucionalë, kontraktorët dhe punonjësit lokal”, tha zëdhënësi.

    Ambasadori Kosnett në kabllogramin e tij nënvizon sfidat e izolimit dhe shëndetit mendor të atyre që shërbejnë në ambasadë.

    Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se “e kuptojmë ankthin që ka shkaktuar pandemia, si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe gjithandej botës”, duke nënvizuar se qëllimi është të vaksinohet 100 për qind e personelit, kurdo që kjo bëhet e mundur.

    Departamenti i Shtetit tha se ka dërguar gati 80 për qind të sasive të para të vaksinave në terren, duke theksuar se kriteret e shpërndarjes së tyre do të varen nga disa faktorë si të dhënat e institucioneve shëndetësore, rastet e shfaqura mes punonjësve, shkalla e përhapjes dhe prirjet e sëmundjes në terren, si dhe cilësia e infrastrukturës mjekësore në vendet mikpritëse etj.

    Kosova po kalon një gjendje të rënduar nga pandemia dhe është vendi i vetëm në Ballkan ku ende nuk ka filluar vaksinimi.

    Rastet me COVID-19 vazhdojnë të shtohen dhe autoritetet kanë shprehur shqetësim se kjo javë mund të shënojë rritje të mëtejshme pas një periudhe grumbullimesh për shkak të zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit.

    Kosova pret që dozat e para të vaksinave të mbërrijnë në fund të muajit ose në fillim të marsit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!