Bashkëthemeluesi dhe nënkryetari i talebanëve, Mullah Abdul Ghani Baradar, është kthyer në Afganistan, raporton The Guardian.
Sipas raportimeve, ai mbërriti mbrëmë vonë në qytetin e dytë më të madh në atë vend, Kandahar.
Qyteti ishte qendra shpirtërore e talebanëve dhe kryeqyteti gjatë sundimit të tyre të parë nga 1996 në 2001.
Baradar u kthye në Afganistan nga Katari, ku udhëhoqi negociatat me Shtetet e Bashkuara për muaj, dhe pastaj bisedimet e paqes për Afganistanin.
Fotografitë e publikuara nga mediat pro-talebane tregojnë një grup njerëzish të mbledhur rreth Baradarit duke festuar kthimin e tij.
Baradar u lirua nga një burg pakistanez më pak se tre vjet më parë me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Baradar, lindi në provincën Uruzgan në 1968 dhe u rrit në Kandahar. Ai iu bashkua luftimeve muxhahidine herët kundër sovjetikëve në vitet 1980 dhe që atëherë është rreshtuar kah talebanët.
The Guardian gjithashtu raporton se pseudonimi i tij, për shkak të brutalitetit që përdori, ishte “kasapi”.
Shumë media të huaja që mbulojnë situatën në Afganistan nuk përjashtojnë mundësinë që Baradar të jetë presidenti i ardhshëm i Afganistanit, pasi ai gëzon autoritet të madh në mesin e talebanëve. /Reporteri.net