×
  • Lajme
  • Lajme

    Katër kandidatë deri tani në garë për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, edhe një ditë afat për aplikim në Kuvend

    Reporteri
    20 Prill 2021 | 17:56

    Autor: Mirlind Behluli


    Ka mbetur edhe një ditë deri në mbylljen e afatit për kandidim për t’u bërë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. Thirrjes së Kuvendit të Kosovës, të hapur me 21 prill të këtij vitit, i janë përgjigjur deri më tani katër kandidatë që CV-të e tyre i kanë dorëzuar tashmë në Kuvend. 


    Nesër përfundon mundësia e vet-propozimit të emrave për gjyqtar të Kushtetueses pasi që afati i fundit për aplikim në këtë konkurs të shpallur nga Kuvendi është 21 prilli 2021.

    Një ditë para se të përfundojë koha për aplikim, Gazeta Online “Reporteri.net” merr vesh se janë katër persona që i kanë dorëzuar CV-të në Kuvend për t’i hyrë garës për t’a zënë vendin që do ta liroj Arta Rama-Hajrizi, kryetare e tanishme e Kushtetueses, së cilës i skadon mandati në qershor të këtij viti.

    Shukri Sylejmani, Gjylbehare Murati, Vigan Qorrolli dhe Hava Bujupi-Ismajli tashmë i kanë dorëzuar në Kuvend kandidaturat e tyre për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuesese të Kosovës, raporton Gazeta Online ‘Reporteri.net’.

    Ndonëse ka edhe një ditë afat për ta paraqitur CV-në e tij në Kuvend, një gjë të tillë ende nuk e ka bërë ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, i cili kishte deklaruar javën që shkoi për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ se është duke e menduar kandidimin për gjyqtar të Kushtetueses.

    Megjithatë, Hasani shtonte se ishte në dilemë pas sipas tij deri më tani proceset e tilla kanë qenë të ndikuara politikisht.

    “E di që ka kohë deri më 21 prill për me konkuru. Unë ma herët nuk kam apliku. Jam duke e shqyrtuar mundësinë e konkurimit, por ma shumë jam që nuk do të konkuroj”, kishte thënë Hasani për Reporteri.net.

    Si zhvillohet procedura e zgjedhjes së Gjyqtarit në Gjykatë Kushtetuese?

    Kuvendi duke e bërë publike thirrjen për nominimin e kandidatëve, ka filluar procedurat ligjore për zëvendësimin e kryetares aktuale duke theksuar se nominimet duhet të dërgohen jo më larg se deri me 21 prill.

    E propozimet bëhen personalisht nga kandidati që dëshiron t’i futet garës për t’u bërë pjesë e Kushtetueses si gjyqtar, shkruan Reporteri.net.

    Në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese thuhet se “një person mund të propozojë veten për kandidat”.

    I njëjti ligj parasheh procedurat për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Kushtetuese.

    Sipas nenit 6 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese përcakton se duhet të themelohet një Komision i posaçëm, që udhëhiqet nga kryetari i Kuvendit apo nga përfaqësuesi i tij.
    Mëpastaj ky Komision i paraqet Kuvendit listën e ngushtë të kandidatëve të kualifikuar për gjyqtar.

    E Komisioni përbëhet nga anëtarë të shumtë ku përfshihet Kuvendi, të gjitha grupet parlamentare të Kuvendet apo deputetë të deleguar të tyre, kryetari i Këshillit Gjyqësor, Avokati i Popullit, përfaqësuesi i Këshillit Konsultativ për Komunitete e përfaqësuesi i Gjykatës Kushtetuese.

    Ligji e ka paraparë edhe mënyrën e votimit.

    “Komisioni vendos me shumicën e thjeshtë të votave. Në rast të votimit të barabartë, vota e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës apo përfaqësuesit të tij/saj të deleguar është vendimtare”, thuhet në Ligj, shkruan Reporteri.net.

    Komisioni i posaçëm pas intervistimeve me shkrim e me gojë dhe brenda afatit prej pesëmbëdhjetë ditësh, i shqyrton kandidaturat dhe i dërgon Kuvendi listën e ngushtë me arsyetimet për propozimet.

    “Lista e ngushtë përmban më shumë kandidatë sesa numri i gjyqtarëve të cilët do të zgjedhën, por jo më tepër se pesë (5) kandidatë për një post të lirë”, thuhet në nenin 6.8 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, shkruan Reporteri.net.

    E emrat e propozuar nga Komisioni votohet në Kuvend me dy të tretat e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë.

    Kandidatët që marrin votat e mjaftueshme, i propozohen për dekretim presidentit për gjyqtar të Kushtetueses.

    Kush janë katër kandidatët që kanë aplikuar deri më tani?

    Shukri Sylejmani që nga vitit 2010, kur u dekretua nga Presidenti, është anëtar i Gjykatës Supreme. Sylejmani ka diplomuar në vitin 1982 në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe aktualisht është kryesues i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Prapashtes.

    Gjylbahare Murati është profesoreshë në Universitetin publik “Haxhi Zeka”. Ajo mbanë titullin e doktores së shkencave juridike në fushën e studimit e drejta ndërkombëtare publike dhe drejtat e njeriut të fituar nga Universiteti i Gentit të Belgjikë.

    Vigan Qorrolli është ligjërues në Universitetin e Prishtinës ku mbanë lëndet e së drejtës publike ndërkombëtare, të drejtës së BE-së dhe të teorisë së marrëdhënies ndërkombëtare. Në vitin 2013 ka qenë si Profesor Vizitor në American University, Washington College of Law në Ëashington DC si bursist i Departamentit të Shtetit të ShBA-ve dhe në vitin 2010 ka qenë zëdhënës i Gjykatës Kushtetuese.

    Hava Bujupi-Ismaili është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës ku ligjëron lëndën e Drejta e Punës në Fakultetin Juridik. Ajo, në vitin 2015, kishte synuar edhe një herë të jetë gjyqtare në Kushtetuese, po ishte larguar nga gara.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!