×
  • Lajme
  • Lajme

    Arta Rama-Hajrizit i përfundon mandati në qershor, si shkon procedura e zëvendësimit të saj në Gjykatën Kushtetuese?

    Reporteri
    07 Prill 2021 | 19:01

    Autor: Mirlind Behluli


    Arta Rama-Hajrizit, kryetare e Gjykatës Kushtetuese që nga 2015-ta, i përfundon mandati në qershor të këtij viti. E tashmë Kuvendi i Kosovës, organi ku zgjidhen gjyqtarët e Kushtetueses, ka filluar procedurat për zëvendësimin e Hajrizit.


    Gazeta Online “Reporteri.net”, ditë më parë, ka raportuar se të parës së Kushtetueses i skadon mandati 9 vjeçar si gjyqtare të Kushtetueses.

    Këta të fundit, i konfirmuan gazetës së qysh në dhjetorin e vitit të shkuar e kanë njoftuar Kuvendin se Hajrizit i përfundon mandati.

    “Gjykata e ka njoftuar Kuvendin e Kosovës përkitazi me përfundimin e mandatit të kryetares Arta Rama-Hajrizi, më 23 dhjetor 2020”, thuhej në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese, të datës 23 mars 2021, për Reporteri.net.

    Pas më shumë se tre muaj pas njoftimit nga Gjykata Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës, të martën, ka hapur thirrjen publike, në tre gjuhë, për paraqitjen e nominimeve për një gjyqtar në organin e interpretimit të Kushtetutës, që është hapi i parë në drejtim të zëvendësimit të Arta Rama-Hajrizit.

    Si zhvillohet procedura?

    Nëpërmjet thirrjes publike për nominimin e kandidatëve për të zënë një vend në Kushtetuese, Kuvendi ka filluar procedurat ligjore për zëvendësimin e kryetares aktuale duke theksuar se nominimet duhet të dërgohen jo më larg se deri me 21 prill.

    E propozimet bëhen personalisht nga kandidati që dëshiron t’i futet garës për t’u bërë pjesë e Kushtetueses si gjyqtar, shkruan Reporteri.net.

    Në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese thuhet se “një person mund të propozojë veten për kandidat”.

    I njëjti ligj parasheh procedurat për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Kushtetuese.
    Sipas nenit 6 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese përcakton se duhet të themelohet një Komision i posaçëm, që udhëhiqet nga kryetari i Kuvendit apo nga përfaqësuesi i tij.

    Mëpastaj ky Komision i paraqet Kuvendit listën e ngushtë të kandidatëve të kualifikuar për gjyqtar.

    E Komisioni përbëhet nga anëtarë të shumtë ku përfshihet Kuvendi, të gjitha grupet parlamentare të Kuvendet apo deputetë të deleguar të tyre, kryetari i Këshillit Gjyqësor, Avokati i Popullit, përfaqësuesi i Këshillit Konsultativ për Komunitete e përfaqësuesi i Gjykatës Kushtetuese.

    Ligji e ka paraparë edhe mënyrën e votimit.

    “Komisioni vendos me shumicën e thjeshtë të votave. Në rast të votimit të barabartë, vota e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës apo përfaqësuesit të tij/saj të deleguar është vendimtare”, thuhet në Ligj, shkruan Reporteri.net.

    Komisioni i posaçëm pas intervistimeve me shkrim e me gojë dhe brenda afatit prej pesëmbëdhjetë ditësh, i shqyrton kandidaturat dhe i dërgon Kuvendi listën e ngushtë me arsyetimet për propozimet.

    “Lista e ngushtë përmban më shumë kandidatë sesa numri i gjyqtarëve të cilët do të zgjedhën, por jo më tepër se pesë (5) kandidatë për një post të lirë”, thuhet në nenin 6.8 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, shkruan Reporteri.net.

    E emrat e propozuar nga Komisioni votohet në Kuvend me dy të tretat e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë.

    Kandidatët që marrin votat e mjaftueshme, i propozohen për dekretim presidentit për gjyqtar të Kushtetueses.

    Profesori universitar i së drejtës kushtetuese, Florent Muçaj, thotë se herave të kaluara konkurset kanë dështuar për shkak të koalicioneve të gjëra politike.

    E kësaj radhe, njohësi i Kushtetutës, pret të jetë ndryshe.

    “Më herët ka pas probleme, sepse duhej konsensus i gjerë. Kësaj radhe mazhoranca (61 deputetë) është shume homogjene dhe stabile. Andaj nuk pres ndonjë vonesë dhe komplikim në Kuvend. Herave të kaluara konkurset edhe kanë dështuar për shkak të jo stabilitetit të mazhorancës, si rezultat i koalicioneve politike që e kishin krijuar atë mazhorancë”, tha Muçaj për Reporteri.net.

    Kriteret për gjyqtar të Kushtetueses

    Përveç se duhet të jenë jurist të shquar dhe personalitete me moralin më të lartë, gjyqtarët e Kushtetueses duhet të kenë jo më pak se dhjetë vjet përvoje profesionale përkatëse.

    “Jurist të shquar me reputacion të shkëlqyeshëm profesional me jo më pak se dhjetë (10) vjet përvojë pune profesionale veçanërisht në fushën e së drejtës publike dhe kushtetuese të dëshmuar, mes tjerash, përmes punës profesionale si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, shërbyes civil ose mësimdhënës universitar dhe punë tjera të rëndësishme të natyrës juridike”, thuhet në Ligj, shkruan Reporteri.net.

    Por juristi Armend Shkoza thotë se këto kritere janë të pamjaftueshme pasiqë nuk sigurojnë cilësi profesionale të duhur për gjyqtar të Kushtetutës.

    “Kriteret aktuale nuk garantojnë cilësi profesionale të gjyqtarëve me rastin e rekrutimit. Këto kritere i konsideroj si të pamjaftueshme në kuptim të integritetit profesional të kandidatëve. Aktualisht kemi të bëjmë me gjyqtar që kurrë nuk ju ka shkelur këmba në gjykata dhe nuk kanë njohuri fare praktike mbi procedurat gjyqësore. Ndërkaq fati i vlerësimit të kushtetutshmërisë së procedurave gjyqësore mbetet në duart e tyre”, tha Shkoza për Reporteri.net.

    Sipas Shkozës, këto kritere i hapin derën e ‘kontrabandimit politik’ të kandidatëve që pastaj kontrollohen nga partitë politike.

    Gjyqtarët e Kushtetueses zgjidhen nga Kuvendi e dekretohen nga Presidenti i vendit për një mandate nëntë vjeçar pa mundësi vazhdimi.

    Ndër vite është raportuar për politizim të procesit të zgjedhjes së gjyqtarëve të Kushtetueses. Përveç afërsive me partitë politike, mediat kanë raportuar edhe për gjyqtar të dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Në anën tjetër, Gjykata Kushtetuese do të duhet të zgjedh edhe kryetarin e ri të saj pasiqë Rama-Hajrizi do të largohet nga ky institucion në fund të qershorit.

    Në një përgjigje për Reporteri.net, Kushtetuesja, në mars të këtij viti, pati pohuar se “Zgjedhja e kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese do të bëhet brenda afateve të përcaktuara”.

    Rregullorja e Gjykatës Kushtetuese përcakton se “zgjedhja për Kryetar dhe për Zëvendëskryetar mbahet një muaj para skadimit të mandatit të Kryetarit dhe të Zëvendëskryetarit në detyrë”.

    “Në rast se posti mbetet menjëherë i zbrazët, zgjedhja për Kryetar duhet të mbahet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe Zëvendëskryetari ushtron rolin e Kryetarit të përkohshëm deri në hyrjen në fuqi të mandatit të Kryetarit të ri. Në rast se nuk ka Zëvendëskryetar, gjyqtari me përvojën më të gjatë ushtron rolin e Kryetarit të përkohshëm. Nëse një ose më shumë gjyqtarë kanë kaluar kohë të njëjtë në Gjykatë, atëherë gjyqtari më i vjetër për nga mosha konsiderohet gjyqtari me përvojë më të gjatë për qëllim të këtij rregulli”, thuhet në Rregulloren e Gjykatës Kushtetuese.

    Zëvendëskryetar i Kushtetuese është Bajram Ljatifi, i cili është zgjedhur gjyqtar në këtë gjykatë në vitin 2018.

    Ndërkaq Rama-Hajrizi para se të emërohej në Gjykatën Kushtetuese ishte pjesë e misionit diplomatik duke ushtruar detyrën e konsullit të Përgjithshme të Konsullatës së Kosovës në New York.

    Gruaja në krye të Kushtetueses ishte pjesëmarrëse në grupin e ekspertëve në Komisionin për Hartimin e Kushtetutës së Kosovës dhe të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!