×
  • Lajme
  • Lajme

    Katër organizata dhe disa aktivistë shënjuan me të kuqe 448 pika për protestues të mundshëm para Teatrit Kombëtar

    Reporteri
    08 Maj 2020 | 16:42

    Një organizata që drejtohet nga Rron Gjinovci, ish aktivist i Vetëvendosjes e tash analist pro politikave të saj, si dhe disa organizata e individë tjerë janë mbledhur sot në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë, dhe kanë shënuar me të kuqe 448 pika për protestues të mundshëm edhe në kohë pandemie.


    Gjinovci, që del shpesh edhe në debate si analist, ka bërë thirrje moti për protesta pro Qeverisë aktuale, shkruan Reporteri. Madje ditë më parë hartoi edhe një plan. Si duket, ky plan tash ka nisur të gjejë implementim.

    Vetëvendosje ka thënë se nuk organizon por do të mbështesë protestat e mundshme. Këto organizata, kërkuan sot nga institucionet që të përcaktojnë disa rregulla edhe për tubime publike, pasi konsiderojnë se është e drejtë qytetare protesta.

    Një praktikë e tillë e protestave, në distancë, është aplikuar para disa ditëve në Izrael. Atje 2000 protestuar kundër Qeverisë Natanyahu.

    Ndiqeni njoftimin e plotë të këtyre organizatave kosovare:

    E DREJTA PËR TUBIM PUBLIK, PO AQ VITALE PËR DEMOKRACINË SA TË USHQYERIT PËR NJERIUN

    Jeta në situatën e pandemisë dhe pas saj duhet të përshtatet në të gjitha fushat. Sot, disa organizata të shoqërisë civile dhe aktivistë të pavarur zhvilluan aksionin simbolik të përcaktimit të pikave për protestuesit e mundshëm në situatë pandemie. Përmes këtij aksioni, aktivistët shënjuan 448 pika për 448 protestues të mundshëm në hapësirën para Teatrit Kombëtar për të demonstruar një mënyrë të mundshme të zhvillimit të një proteste në situatë pandemie, duke respektuar distancën sociale dhe masat tjera që mbrojnë shëndetin tonë publik.

    Ashtu siç është me rëndësi të ushqyerit për jetesën tonë, me ç’rast institucionet kanë nxjerrë rregulla se si duhet të blejmë e të furnizohemi me ushqim, në po atë masë është e rëndësishme demokracia për jetën tonë socio-politike. E demokracia nuk nënkupton vetëm zgjedhje një herë në katër vjet, por edhe të drejtën e qytetarëve për demokraci pjesëmarrëse përmes lirisë për asocim, pra lirisë për tubim publik, të garantuar me ligjet në fuqi, me konventat ndërkombëtare dhe me Kushtetutën e Kosovës.

    Përmes këtij aksioni simbolik ne kërkojmë nga institucionet relevante definim të rregullave të protestimit në përputhje me situatën në të cilën ndodhemi, pra të vendosin kufizime që ruajnë shëndetin publik siç janë distancat mes protestuesve të mundshëm, mbajtja e maskave dhe dorëzave, por që e mundësojnë ushtrimin e të drejtës për tubim publik të garantuar me ligje dhe me Kushtetutë.

    Ne mbesim të përkushtuar si aktivistë që të gjejmë mënyra të reja për të zhvilluar demokracinë, mjetet e saj dhe për t’i avancuar të drejtat dhe liritë e qytetarëve të Kosovës edhe në kohë pandemie.

    Organizatat dhe aktivistët e përfshirë në aksion:

    ADMOVERE

    Integra

    Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist

    ORCA – Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim

    Trina Binaku

    Gentiana Mehmeti

    Alora Hyseni

    Durim Jasharaj

    Indrit Ferati

    Rinor Mehmeti

    Paris Guri

    Roni Idrizaj

    Agon Rexhepi

    Adelina Tërshani

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!