Kërkohet që qeveria e re të kompensojë familjen e 11 vjeçarit që u dhuna e u vra

11 vjeçari nga komuniteti ashkali, Kujtim Veseli u gjet i vdekur më 11 korrik 2019 në Fushë Kosovë. Ai u vra nga S.O i cili edhe e kishte dhunuar seksualisht disa herë.


Në tetor të vitit të kaluar Gjykata Themelore në Prishtinë kishte dënuar S.O me 25 vjet burgim për veprën të cilën e kishte pranuar. Por, ky vendim nuk po konsiderohet i mjaftueshëm.

Derisa, rasti tani ka kaluar në shkallën e dytë me kërkesë që të rritet dënimi në 35 vjet burgim, kërkesat në lidhje me rastin nuk përfundojnë këtu.

Avokatja e familjes së Kujtimit, Rina Kika ka bërë ditur se nuk do të hiqet dorë nga disa pika në lidhje me këtë rast.

“Ne konsiderojmë se duhet të ketë hetim të pavarur të zyrtarëve policorë dhe prokurorëve që e kanë trajtuar rastin e Kujtimit. Prokuroria dhe Policia duhet të kërkojnë falje publikisht ndaj familjes së Kujtimit për neglizhimin e këtij rasti ndërkaq, Qeveria e Kosovës duhet t’i japë dëmshpërblim familjes së Kujtimit për shkeljen e të drejtave të njeriut të Kujtimit. Vetëm atëherë do të ketë vërtetë Drejtësi për Kujtimin”, tha ajo për lajmi.net.

Derisa qeveritë e kaluara nuk u morën me rastin e Kujtimit, tani pritjet janë që qeveria e re të përmbushë nja nga kërkesat në lidhje me këtë rast.

Aktivisti, Gazmend Qyqalla nga fushata “Drejtësi për Kujtimin”, thotë se pritjet janë që qeveria e re të bëjë kompensimin e familjes së Kujtimit.

“Presim që tash me qeverinë e re mos me na lënë neve me bo kërkesë, por me kompensu vetë. E dimë që rastet që kanë ndodh pas Kujtimit, të gjitha janë kompensu. Rasti ia tij djali që u vra në Qendrën e Studentëve dhe rastet e tjera. Ka bë kompensime për raste të tjera. Rasti i gruas që u vra nga burri i saj. Por, tek rasti i Kujtimit nuk është bërë kompensimi. Ne shpresojmë që kjo qeveri me bë kompensimin e familjes. Ne do të bëjmë edhe kërkesën për kompensimine familjes”, tha ai për lajmi.net

E mos-përfillja e kësaj kërkese nga qeveritë e kaluara, sipas Qyqalles u bë mbi baza diskriminimi.

“ Mua nuk më lejon me mendu tjetër, por diskriminim. Nuk e di a ka ndonjë formë tjetër me mendu. Të paktën neve nuk na është dhënë ndonjë arsye. Me thënë që për këtë arsye nuk mundemi me bë kompensimin e familjes. Nuk është përgjigj fare qeveria e kaluar në këtë aspekt. Unë mendoj që është diskriminim, në bazë të asaj se është një person nga komuniteti dhe nuk kemi nevojë fare me u marr me të. Mirëpo, ne si grup, si kauzë, nuk do të ndalemi derisa të përmbushen kërkesat e peticionit që ne i kemi parashtrua. Kjo, si masë që mos me leju, qeveria e Kosovës, jo vetëm për komunitetet, por në përgjithësi, mos me leju me ndodhë këso raste në Kosovë- me u neglizhu për shkak të një personi që nuk e kryn detyrën e tij, për të clën paguhet prej taksave të qytetarëve”, shtoi ai.

E, në anën tjetër për shkak të neglizhencës një dënim me gjobë ishte shqiptuar ndaj prokurorit Ruhan Salihu. E, në lidhje me këtë rast është ngritur padi kundër Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), si pasojë e refuzimit të qasjes në dokumente publik të procedurës së Salihut.