Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka ftuar kryeministrin Kurti që të jetë pjesë e një debati publik bashkë me të. Haradinaj tha se kjo thirrje për përballje mes tij dhe Kurtit është të diskutohen arritjet kryesore të qeverisë Kurti dhe Haradinaj.
Nga Qeveria e Kosovës i janë përgjigjur Haradinajt, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se Haradinaj e ka pasur rastin të përballet me Kurtin, siç ka thënë ai më 24 maj të këtij viti, në debatin parlamentar për 3 vjetorin e Qeverisë Kurti, seancë në të cilën mungoi edhe vetë Haradinaj.
Kryeziu tutje tha se ftesa e Haradinajt për debat me Kurtin, nuk ka si të kuptohet ndryshe veçse pakënaqësi me shikueshmërinë e emisioneve ku po merr pjesë, Haradinaj.
“Me 24 maj, Kryeministri Kurti e pat shkurtuar vizitën në Londër dhe nga aeroporti erdhi direkt në seancë për përballje. Atë ditë pritej të kishte debat për 3-vjetorin e punës së qeverisë, me ftesë të AAK-së. Në konkluzionet e rezolutës, kërkohej shkarkimi i qeverisë. Debati nuk u mbajtë në mungesë të debutëve të opozitës (vetëm 3 deputetë ishin të pranishëm). Në atë seancë mungoi edhe vetë z. Haradinaj. Tërë dimrin e pranverën këtë vit kanë folur për këtë mocion, prej të cilit hoqën dorë me 24 maj.
Tash, ftesa e Kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt për debat me Kryeministrin Kurti, nuk ka se si të kuptohet ndryshe veçse pakënaqësi me shikushmërinë e emisioneve ku merr pjesë ai.
Sigurisht që sjellja e Kryeministrit Kurti në të njëjtin kuadër televiziv do ta ndryshonte këtë”, ka shkruar ai.
Haradinaj mbrëmë në një debat televiziv, ka listuar siç ka thënë ai arritjet e tij gjatë Qeverisjes Haradinaj si ato të rikthimit të energjisë elektrike, ligjet për ushtri apo edhe statuti i Trepçës.
“Propozoj të ballafaqohem me listën e sukseseve të Qeverisë Haradinaj të asaj kohe dhe Qeverinë Kurti. Pavarësisht që qeveria Haradinaj kishte më pak se dy vjet qeverisje. Kurti ka thuaja katër vite. Do të shihni se sa është ndryshimi i listës së sukseseve të asaj qeverie dhe kësaj”, tha ai në “Debat Plus”. /Reporteri.net/