Këshilli Kombëtar i Sigurisë në ShBA ka shpërndarë deklaratën e Richard Grenell, Emisar Special i Presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi, e cila pasoi pas vendimit të Kushtetueses lidhur me ligjshmërinë e dekretimit të Avdullah Hotit për kryeministër të ri të Kosovës.
Aty SHBA edhe një herë bën thirrje që të gjitha partitë politike në Kosovë të respektojnë vendimin e Kushtetueses.
Mes tjerash në deklaratën e tij, Grenell theksonte se mezi pret të punojë me qeverinë e re, shkruan Reporteri.
“Gjykata Kushtetuese ka folur. Për të siguruar paqen dhe stabilitetin – dhe për të mbështetur integritetin e sistemit të drejtësisë së Kosovës – të gjithë duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës. Mezi pres të vazhdoj punën time me njerëzit e Kosovës dhe qeverinë e tyre për të sjellë prosperitet, zhvillim dhe vende punë në rajon”, ka deklaruar Grenell përmes një komunikate dërguar mediave nga Zyra e tij.
Kjo deklaratë është shpërndarë dje edhe nga Ambasada Amerikane në Kosovë në faqen zyrtare në Facebook.
Kujtojmë se Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka akuzuar publikisht në mediat e huaja, Richard Grenellin për rrëzimin e Qeverisë së tij. /Reporteri.net