×
  • Lajme
  • Lajme

    KMDLNj i reagon Hotit e Zemajt për maskat: Mos i kërcënoni qytetarët, nuk kanë as para t’i blejnë ato

    Reporteri
    30 Qershor 2020 | 12:36

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj deklaratave të Ministrit të Shëndetësisë dhe kryeministrit Avdullah Hoti lidhur me përdorimin e forcës së ligjit nëse qytetarët nuk vendosin maska.


    KMDLNJ ka thënë se drejtuesit e shtetit nuk kanë të drejtë të kërcënojnë qytetarët pasi nuk ka bazë ligjore me të cilën mbështeten për këto kërcënime.

    “Ministri aktual i Shëndetësisë, Armend Zemaj në prononcimet e ditëve të fundit ka deklaruar se do ta përdorin forcën e Ligjit ndaj atyre që nuk i respektojnë masat mbrojtëse e sidomos ndaj atyre që nuk vendosin maska mbrojtëse. Po të njëjtin qëndrim e ka deklaruar edhe kryeministri Hoti. KMDLNj është i shqetësuar për rritjen e të infektuarve me COVID-19 por se kjo nuk iu jep të drejtë drejtuesve më të lartë të vendit të kërcënojnë qytetarët e pabindur aq më parë që nuk ka asnjë bazë ligjore me të cilën mbështeten këto kërcënime”, thuhet në reagimin e KMDLNj’së.

    Tutje KMDLNj ka thënë se qytetarët që nuk kanë mundësi materiale duhet të pajisen me mjete mbrojtëse pa pagesë.

    “Kryeministri Hoti dhe ministri Zemaj nuk kanë përgjegjësi për rritjen e numrit të të infektuarve me COVID-19 por se kanë detyrim dhe përgjegjësi që qytetarët, sidomos ata që mundësitë materiale i kanë të vogla, të furnizohen me mjete mbrojtëse pa pagesë aq më parë që ka pasur shumë donacione ndërkombëtare për këtë. Të rrallë janë ata që kanë mundësi që për një maskë mbrojtëse për një përdorim të paguajnë nga 1 euro për vete dhe nga 1 euro për çdo anëtar të familjes. Në vend të kërcënimit duhet të krijohet një mundësi që qytetarët të furmizohen me masa mbrojtëse pa pagesë. Në Kosovë nuk është shpallur gjendje e jashtëzakonshme prandaj nuk ka mundësi të përdoren mjete të jashtëzakonshme juridike e që nuk janë të rregulluara me ligj”, thuhet tutje në reagim

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!