×
  • Lajme
  • Lajme / Vrasja në Serbi

    Koci: Kufomën e Faton Hajrizit e sjell patjetër në Kosovë, veç nëse më arrestojnë edhe mua

    Reporteri
    24 Korrik 2024 | 9:24

    Avokati Arianit Koci gjatë ditës së djeshme ka bërë të ditur se është autorizuar nga familja e Faton Hajrizit për tërheqjen e trupit të të ndjerit nga Serbia.

    Koci ka folur në lidhje me rastin, duke thënë se i ka marrë të gjitha dokumentet e duhura.

    Ai është shprehur i bindur që do ta sjellë kufomën e Faton Hajrizit në Kosovë, madje u shpreh se e kundërta mund ta ndodh vetëm nëse arrestohet edhe ai.

    “Unë të gjitha dokumentet e duhura i kam marrë, sa i përket gishtërinjve, kemi informacionet zyrtare, por që nuk kanë ardhur në formë të shkruar, që gishtërinjtë përputhen”.

    “Me e sjell kufomën e sjelli gjithsesi, vetëm është në pyetje a do të munden për dy ditë, apo për 20 ditë, përveç nëse nuk më arrestojnë edhe mua”, është shprehur ai në Klan Kosova.

    Të hënën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njoftoi se autoritetet serbe kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi, të cilat bashkë me shenjat e gishtërinjve të Hajrizit janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë.

    Pas krahasimit, Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin Hajrizit.

    “Lidhur me rastin e pretenduar nga ana e Serbisë të vrasjes së qytetarit të Kosovës në Serbi, informojmë opinionin publik që sapo jemi njoftuar nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe, më datë 22/07/2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi dhe të njejtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ku pas krahasimit nga AKF, ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë, Faton Hajrizi”, thuhej në njoftimin e MPJD-së. /Reporteri.net/

    Avokati Koci: Jam autorizuar nga familja për tërheqjen e trupit të Faton Hajrizit

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!