Ankesa të shumta pati sot nga qytetarët në komunën e Prishtinës, për nivelin e jashtëzakonshëm të mbeturinave nëpër cepe të ndryshme të kryeqytetit.
Krejt kjo gjendje u shkaktua nga fakti që kompania e cila kujdeset për pastërtinë në kryeqytet, “Pastrimi”, kishte hyrë në grevë, ku punëtorët kërkonin rritje pagash, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Mirëpo, para pak minutash, kjo kompani ka njoftuar se kanë rifilluar aktivitetin e tyre të pastrimit të mbeturinave nëpër kryeqytet, mirëpo pa konfirmuar nëse kanë arritur apo jo një marrëveshje me komunën.
“Po ashtu njoftojmë që kryerja e shërbimit të mbeturinave do të vazhdojë sipas planit dhe orarit të rregullt operativ”, tha kjo kompani përmes një postimi në Facebook.
Ndër të tjera, “Pastrimi” falënderoi qytetarët për, siç u tha, “mirëkuptimin që kanë treguar ndaj punëtorëve te kompanisë sonë”.
Ndaj lajmit për grevë, me shqetësim të madh reagoi vetë kryetari i Prishtinës, Perparim Rama.
Ai tha se është në komunikim të vazhdueshëm me punëtorët e kësaj ndërmarrjeje për ta zgjidhur çështjen e grevës.
“Ne kemi qenë aktivisht të angazhuar me Ndërmarrjen për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje dhe jemi të përkushtuar për të arritur një marrëveshje të drejtë nga e cila do të përfitojnë edhe punëtorët dhe kryeqyteti”, shkroi kryetari në Facebook.
“Ne e kuptojmë zhgënjimin e punëtorëve dhe njohim të drejtën e tyre për të protestuar, por vendimi i tyre për të ndërprerë punën ka pasur një ndikim të rëndë në pastërtinë e qytetit tonë. Rrugët janë të mbushura me mbeturina dhe kjo situatë është e papranueshme”, ka shkruar tutje. /Reporteri.net/.