Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ka thumbuar partitë opozitare, duke thënë se këta kundërshtarë politikë e kanë një strategji të tyre siç tha ai “strategji e gërryerjes” që t’ia marrin Vetëvendosjes nga 1-2 përqind për muajt e mbetur deri në zgjedhje, shkruan Reporteri.net.
“Unë mendoj që kundërshtarët politikë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë një strategji që unë po dua ta quaj strategjia e gërryerjes. Çka i bie kjo? Kanë mbetur edhe katër muaj, për çdo muaj me mund me ia heq Lëvizjes Vetëvendosje ka 1 ose 2 përqind. Ata po mendojnë që e arrijnë mendimin e tyre. Pse kështu? Sepse atëherë krijohet një situatë politike, një gjendje e re politike e cila i vendos në pikëpyetje një arritje që unë konsideroj që ka qenë shumë e madhe e 14 shkurtit.
Konjufca tha për opozitën se po e kritikojnë pushtetin aktual të Vetëvendosjes për korrupsion, ndërsa vetë janë rrëzuar nga “korrupsioni i tyre”.
“Këta i ka rrëzuar korrupsioni dhe qata janë që po na folin kundër korrupsionit, qata që i ka rrëzu korrupsioni, korrupsioni i vet se thonë zullumi këputet prej trashi. Aq i trashë është kanë korrupsioni, sa që i ka rrëzu”, tha Konjufca.
Ai tutje tha se populli i Kosovës me një votë mbi 51 përqind për Lëvizjen Vetëvendosje ka hequr nga ekuacioni Listën Srpska, rrjedhimisht Beogradin. /Reporteri.net/.