Kosova dhe Serbia zhvillojnë takimin e radhës më 28 shtator në Bruksel, Stano: Asociacioni do të jetë në tryezë në ndonjë raund

Zëdhënësi i BE-së Peter Stano ka thënë se nuk ka krizë në dialogun Kosovë-Serbi the se procesi në Bruksel po përparon.


Dhe për të dhënë shembull se dialogu po përparon ai lajmëroi për një takim të ekspertëve të hënën, më 28 shtator, njofton Klan Kosova.

“Dialogu nuk është në krizë, ne po vazhdojmë. BE është e vendosur në këtë dhe ne gjithashtu kemi mesazhe të qarta nga të dyja palët se janë të përkushtuar për të vazhduar dialogun”.

Ndërkaq, sa për diskutimin e çështjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Stano tha se kjo çështje me siguri do të jetë në tryezë, por jo këtë të hënë.

“Le të jemi plotësisht të qartë, kjo çështje duhet të zgjidhet si pjesë e një marrëveshje gjithëpërfshirëse siç është rënë dakord në takimin e parë të udhëheqësve në korrik dhe konfirmuar në samitin e fundit në 7 shtator”.

Ai shtoi se qëllimi i BE-së është të punojë shumë dhe të sigurojë shërbimet më të mira për të ndihmuar Prishtinën dhe Beogradin të kapërcejnë çdo mosmarrëveshje në mënyrë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht e detyrueshme.

Peter Stano njoftoi se takimi i radhës në nivelin më të lartë politik midis presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti, do të mbahet sipas “praktikës së vendosur” pas bisedimeve të ekspertëve.

“Ne jemi gjithmonë të kënaqur kur mund të njoftojmë se palët kanë rënë dakord që takimi i ardhshëm do të mbahet ose në nivelin e ekspertëve, negociatorët kryesorë ose në nivelin më të lartë me pjesëmarrjen e presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Kosovës”.