17 shkurti do të mbetet përgjithmonë një ndër datat më të shënuara për të gjithë shqiptarët.
Pavarësia e Kosovës historikisht do të mbetet data më e rëndësishme e lirisë.
Por sot kur të gjithë po festojnë 13 vjetorin e pavarësisë disa kosovarë po vazhdojnë të mbahen në burgjet e Serbisë.
Nezir Mehmetaj prej më shumë se një vit e Blerim Maqastena prej disa muajsh.
Nezir Mehmetaj ishte arrestuar në pikën kufitare me të kthyer nga Serbia ku kishte shkuar për shkaqe shëndetësore të nënës së tij, ndërsa Maqastena u arrestua derisa po ecnin me njërin prej miqve të tij në pikën kufitare të Merdares.
Natyra Kuçi, zyrtare në Partinë Socialdemokrate tha se sot Blerimi do të duhej të festonte bashkë me ta, por që padrejtësisht po mbahet në burgjet e Serbisë.
“Institucionet e Kosovës kanë fut veshët në lesh për këtë rast, sepse Blerimi nuk është oportunist politik e as anëtar i partive të tyre. Blerimi ishte dhe është aktivist i palodhshëm që lufton për barazi dhe drejtësi, atedhedashës i pakursyer në secilën kohë. #drejtesiperBlerimin”, tha ajo.
Duhet përkujtuar që përpos disa reagimeve që ishin bërë publike nga ministria e Punëve të Jashtme dhe zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, asgjë tjetër nuk thuhet të jetë bërë për lirimin e këtyre kosovarëve nga burgjet serbe.