Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar pas rezultateve të dobëta të Kosovës në testin PISA, derisa ka thënë se analfabetizmi qeveritar po prek edhe shkollat, shkruan Reporteri.net.
Kreu i PDK-së ka theksuar se Kosova është këtë vit më keq se në vitet 2014 dhe 2018.
Sipas Krasniqit, sot u konfirmuar rënia e thellë e rezultateve të nxënësve të Kosovës në testin PISA në lexim, matematikë dhe shkencë, që siç thotë ai kjo është e dhimbshme dhe e tmerrshme.
“Ne e kemi ditur, por tashmë edhe po dëshmohet, se qëllimi i kësaj Qeverie nuk ka qenë asnjëherë reforma arsimore e as përmirësimi i jetesës së qytetarëve tanë”, ka thënë mes tjerash Krasniqi.
Reagimi i plotë:
Analfabetizmi qeveritar po prek shkollat tona – në testin PISA, Kosova më keq se më 2014 e 2018.
Sot u konfirmua rënia e thellë e rezultateve të nxënësve të Kosovës në testin e PISA-s në lexim, matematikë dhe shkencë. Kosova renditet, praktikisht, në fund të tabelës së 80 shteteve pjesëmarrëse. E dhembshme! E tmerrshme!
Në secilën fushë ka rënie drastike të pikëve, krahasuar me vitin 2014 dhe vitin 2018, kur është mbajtur për herë të fundit testi PISA.
Ne e kemi ditur, por tashmë edhe po dëshmohet, se qëllimi i kësaj Qeverie nuk ka qenë asnjëherë reforma arsimore e as përmirësimi i jetesës së qytetarëve tanë.
Analfabetizimi qeveritar, fatkeqësisht, tashmë po shkatërron edhe shkollat tona!