×
  • Lajme
  • Lajme / Zonat

    Kosovarët po blejnë me të madhe prona në Shqipëri, 295 milionë euro investime për apartamente e vila

    Reporteri
    09 Korrik 2025 | 21:04

    Qytetarët e Kosovës po blejnë gjithnjë e më shumë prona në Shqipëri. Janë kryesisht prona në bregdet.

    Nga 440 milionë euro që është portofoli i investimeve nga Kosova, 67 për qind, ose 295 milionë euro, janë për apartamente apo vila.

    25 milionë janë shpenzuar për pasuri të paluajtshme vetëm në 3-mujorin e parë të këtij viti.

    Zonat më të pëlqyera janë Durrësi e Lezha, por një interes të shtuar ka kohët e fundit edhe për blerjen e apartamenteve dhe vilave në bregdetin e Jugut.

    “Diaspora investon shumë më shpejt, për shkak se kupton shumë qartë dinamikat. Në pjesën e Shëngjinit, Velipojës, Tales… sepse Rruga e Kombit e bën më të lehtë aksesin e atyre zonave. Por, vitet e fundit, sidomos gjatë këtij viti, kemi parë interesin nga shqiptarët e Kosovës dhe në Rivierën Shqiptare. Duke filluar nga Vlora, deri në pjesën e Dhërmiut e Palasës”, tha Reinaldo Pipiria, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Pasurive të Paluajtshme.

    Përveç bregdetit, edhe qytetet me lidhje të lehtë infrastrukturore me Kosovën po përjetojnë rritje të kërkesës. Sipas të dhënave, tregu shqiptar shihet më i favorshëm në çmim krahasuar me shumë qytete në rajon të cilat janë të pozicionuara si potencial turizmi.

    “Nëse do të krahasonim sot zonat e Shqipërisë, me një pjesë të zonave të Malit të Zi, këtu po flasim për pjesën e Budvës, shikojmë se çmimet në këto dy zona janë nga 2250, deri në 3350 euro për m2. Durrësi, në drejtim të Shëngjinit, Velipojës, janë diku tek 1700, deri në 2000 euro. Pjesa e Vlorës, ka plot alternativa që janë më pak se sa 2500 euro për m2”, sqaroi Pipiria.

    Në total, të gjitha investimet nga Kosova drejt Shqipërisë kanë shënuar një rritje të qëndrueshme vit pas viti. Në tremujorin e parë të vitit 2025, ato u rritën me 4.26% krahasuar me fundin e vitit të kaluar.

    Përveç shqiptarëve nga Kosova, investime në prona po vijnë edhe nga emigrantët shqiptarë me rezidencë në Itali, Gjermani, SHBA e Britani, por edhe nga shtetas të huaj. Tregu, sipas ekspertëve, mbetet i gjallë dhe me pritshmëri për rritje të mëtejshme./Tv Klan

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!