Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valmir Elezi ka thënë nga 6700 zarfe me fletëvotime të pranuara nga votuesit jashtë Kosovës, 4811 janë aprovuar ndërkaq 1891 të tjera janë refuzuar.
Elezi gjatë një paraqitje të drejtpërdrejtë nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve tha se arsyet e refuzimit kanë të bëjnë për shkak se janë dërguar nga persona të refuzuar gjatë periudhës së aplikimit, nga persona të paidentifikuar, nga persona të cilët kanë dërguar të dhëna të gabuara apo nga persona që kanë dërguar fletëvotime më shumë se një herë.
“Gjatë periudhës së votimit përmes postës kemi pranuar 42 mijë e 500 pako të supozuara me fletëvotime. Pas disa ditësh do ta dimë saktë se sa është numri i fletëvotimeve nga jashtë vendit. Nga 6700 zarfe me fletëvotime janë verifikuara 4811 zarfe ndërkaq 1891 të tjera janë refuzuar. Arsyet përse janë refuzuar kanë të bëjë me faktin se ato janë dërguar nga persona të refuzuar në periudhën e aplikimit, nga persona të paidentifikuar, nga votues me të dhëna të gabuara apo persona që kanë dërguar fletëvotime më shumë se një herë se njëherë”, ka thënë Elezi.
Ai ka bërë të ditur se QNR-ja është duke vazhduar me procedimin e të dhënave nga formularët e rezultateve. Sipas tij, deri më tani nga 2382 vendvotime janë proceduar të dhënat e formularëve të subjekteve politike për 1661 vendvotime, apo rreth 70 për qind e tyre si dhe të dhënat për kandidatët për 1324 vendvotime apo rreth 59 për qind e tyre.
Po ashtu, sipas tij, QNR-ja është duke bërë skanimin e listës përfundimtare të votuesve.