×
  • Lajme
  • Lajme

    KQZ nuk e rekomandon shtyrjen e zgjedhjeve në Veri

    Reporteri
    09 Dhjetor 2022 | 19:45
    Fotografi ilustruese nga arkivi.

    Ka përfunduar mbledhja e jashtëzakonshme e thirrur nga KQZ’ja, në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës.

    Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Partia Demokratike e Kosovës, Arianit Elshani, ka deklaruar se KQZ nuk e rekomandon shtyrjen e afatit.

    “KQZ nuk rekomandon shtyrjen e zgjedhjeve”, tha Elshani për Gazetën Online Reporteri.net.

    Dilema e mbajtjes ose jo të zgjedhjeve u jetësua me rritjen e konflikteve në Veri, ku sipas Policisë, individë të caktuar e banda kriminale po vazhdojnë me sulme të njëpasnjëshme.

    Zgjedhjet në Veri, KQZ thërret mbledhje të jashtëzakonshme

    Nga Presidenca kanë kërkuar që para se të merret vendim për (mos)shtyrje, të pranohet një raport nga institucionet e sigurisë së Kosovës.

    Bekim Kupina, këshilltar i Presidentes në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net ka thënë se Presidenca mund të vihet në veprim vetëm pas një vlerësimi të tillë nga institucionet kompetente të sigurisë dhe pranimit të kërkesës për shtyrjen e zgjedhjeve nga KQZ-ja.

    “Vlerësimi për shtyrjen e datës së zgjedhjeve i takon institucioneve të Republikës së Kosovës në bazë të kritereve specifike. Sipas praktikës së deritanishme, Presidenca mund të vihet në veprim vetëm pas vlerësimit të tillë nga institucionet kompetente të sigurisë dhe pranimit të kërkesës për shtyrjen e zgjedhjeve nga KQZ-ja.

    Presidenca është në kontakt të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe nëse vjen një kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve, sipas praktikave të Komisionit të Venedikut, Presidentja Osmani do t`i ftoj subjektet politike për konsultime dhe më pas do ta marrë vendimin”, ka thënë Kupina për Reporteri.net.

    Ndryshe, ndërkombëtarët kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri.

    Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet tha se Shtetet e Bashkuara mendojnë se “nuk është koha e duhur për zgjedhje duke pasur parasysh ndjeshmërinë e momentit dhe kemi parë dhunë në 24 orët e fundit”.

    Chollet: Duam të vazhdojmë ta mbrojmë Kosovën, zgjedhjet të shtyhen

    Kërkesë të njëjtë kanë bërë edhe gjermanët.

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde. ka thënë se tashmë është e qartë që nuk ka kushte për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve më 18 dhjetor.

    “Jam dakord me kolegun tim amerikan që zgjedhjet duhet të shtyhen. Është e qartë se situata aktuale nuk është e favorshme për mbajtjen e tyre tani”, ka shkruar Rohde. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!