Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar sot se numri i qendrave të votimit në zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të Kosovës, nga 44 është zvogëluar në 19.
Lidhur me këtë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se disa shkolla nuk janë treguar bashkëpunuese për t’i hapur dyert për zgjedhje, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Gjatë këtyre ditëve zyrtarët e lartë komunalë të zgjedhjeve në katër komunat në veri kanë komunikuar me menaxherët e qendrave të votimit, me të cilët kemi komunikuar edhe në të kaluarën. Disa prej tyre nuk janë lajmëruar, disa të tjerë kanë gjetur arsyetime të ndryshme se nuk mund të ndihmojnë në këtë proces për hapjen e qendrave të votimit, por ka pasur edhe të gatshëm për bashkëpunim me KQZ-në”, u shpreh Elezi në Klan Kosova.
Ai tutje tha se deri më 17 prill është koha kur subjektet politike mund të paraqesin aplikimet për akreditimet e vëzhguesve të tyre, ndërkaq për OJQ-të vendore e ndërkombëtare dhe mediat afati është deri më 18 prill.
Një raport i organeve të sigurisë u ka shkuar të enjten KQZ-së në lidhje me organizimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës. I njëjti është shqyrtuar sot, në mbledhjen e anëtareve të KQZ’së, së bashku me rekomandimet tjera rreth organizimit të votimeve të parakohshme për Kryetar të komunave në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, si dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet komunale në Zveçan e Leposaviq.
Raporti i organeve të sigurisë, përmes sugjerimeve që i jep KQZ’së, alarmon për skenarë të ndryshëm që mund të shkaktojnë strukturat paralele të serbeve në veri, në ditën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme komunale të 22 prillit në komunat veriore të vendit. /Reporterti.net/.
Zgjedhjet në veri, KQZ-ja zvogëlon nga 44 në 19 numrin e qendrave të votimit