×
  • Lajme
  • Lajme

    Krasniqi viziton dy familje në Kamenicë, djemtë e të cilave kanë emigruar: Kosova po zbrazet e Qeveria po heshtë

    Reporteri
    01 Mars 2023 | 19:31
    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, gjatë vizitës në Kamenicë.

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vizituar sot dy familje në Kamenicë, familjarët e të cilëve kanë emigruar për shkak të kushteve ekonomike.

    Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka treguar për bisedat që ka pasur me ta lidhur me arsyet e largimit, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.

    “Sot, vizitova familjen e Hajrullah Dërmakut në Shipashnicë të Epërme të Kamenicës, djali i të cilit, Jetoni, ish ushtar i UÇK-së e më vonë edhe pjesëtar i FSK-së, për të shkolluar dhe mbajtur familjen e tij, në vitin 2021, është detyruar të emigrojë në ShBA. Së bashku me bacën Hajrullah, përmes telefonit, biseduam edhe me Jetonin, i cili më shprehu zhgënjimin e madh për faktin se është detyruar ta lë punën dhe Kosovën”, ka shkruar Krasniqi.

    “Ndërkaq, në Hodonoc vizitova famljen e Naim Bashës, të cilit, pas emigrimit të njërit djalë, edhe tjetri është në procedurë të pajisjes me vizë për t’u larguar nga Kosova. I shqetësuar me këtë ikje masive, Naimi më tregoi se familjeve të lagjes së tij, nuk u ka mbetur asnjë i ri në shtëpi”, ka vazhduar ai.

    Krasniqi ka thënë se përjetime të tilla, të ngjashme e shumë të dhembshme, kanë përjetuar edhe dhjetëra mijëra familje tjera të Kosovës në dy vitet e fundit – familjarët e të cilëve kanë emigruar.

    “Kosova po zbrazet, ndërsa Qeveria po heshtë! Fatkeqësisht, gjatë këtyre dy viteve, nuk kemi parë asnjë plan konkret të Qeverisë për përmirësimin e ekonomisë, arsimit dhe shëndetësisë, si tre faktorë kryesorë për largimin e qytetarëve tanë”, ka shkruar Kryetari i PDK-së.

    Krasniqi ka thënë se vetëm një gjë ka qenë konsistente gjatë kësaj qeverisjeje: Çmimet kanë shkuar duke u rritur e cilësia e jetesës së qytetarëve dhe shpresa e tyre, duke u zvogëluar.

    “Prandaj, sot, nuk është koha më për fjalime të mira, por, për punë të mira e konkrete në rikthimin e besimit tek të rinjtë dhe qytetarët në shtetin tonë. Kosova duhet dhe mund të jetë një vend ku rinia ka mundësi të përmbushë potencialin e saj dhe të krijojë një të ardhme prosperuese”, ka përfunduar ai. /Reporteri.net/.

    Postimi i plotë:

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!