×
  • Lajme
  • Lajme / E konfirmon avokati

    Kreu i Inspektoratit të Punës Hekuran Nikçi dhe Naim Shalaku lihen në arrest shtëpiak

    Reporteri
    01 Mars 2025 | 14:42

    Kreu i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, do të mbetet në arrest shtëpiak. Themelorja ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit për Nikçin.

    Një gjë të tillë e ka konfirmuar avokati i Nikçit, Arianit Koci.

    Masën e arrestit shtëpiak, Themelorja i ka caktuar edhe ushtruesit të detyrës së menaxherit në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Naim Shalaku.

    Nikçi e Shalaku fillimisht të enjten u ndaluan për 48 orë nga Policia e Kosovës pas intervistimit nga Departamenti i Krimeve të Rënda.

    Nikçi po dyshohet se ka kryer veprat penale keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës dhe përdorim i paautorizuar të pasurisë. Ndërkohë Shalaku po dyshohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës në vazhdimësi.

    Postimi  i plotë i Kocit në Facebook:

    Deklaratë për Media

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj klientit tim, z. Hekuran Nikçi, dhe ka vendosur masën e arrestit shtëpiak.

    Megjithatë, ky vendim nuk e adreson në tërësi padrejtësinë e procedurës ndaj tij, pasi ai po ndiqet për një çështje administrative, ku palë janë Ministria e Financave dhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.

    Hetimi ka filluar para vetëm 20 ditësh, por mënyra e ngutshme dhe e paarsyeshme e ndalimit të tij ka sjellë një sërë lëshimesh serioze nga ana e Prokurorisë.

    Në ditën e ndalimit, Kryeinspektori ka qenë nën mbikëqyrjen e Policisë, nuk është lejuar të marrë pjesë në një takim zyrtar të caktuar më herët dhe i është ndaluar përdorimi i telefonit.

    Sipas deklarimeve të tij, liria e lëvizjes i është kufizuar që nga ora 09:00, ndërkohë që në dokumentacionin zyrtar figuron se ai është ndaluar në ora 10:30.

    Mbetet e paqartë me çfarë vendimi është justifikuar kufizimi i paligjshëm i lirisë së tij për 1 orë e 30 minuta?

    Gjithashtu, në kërkesën për paraburgim, vetë Prokuroria ka pohuar se palës së dëmtuar nuk i është mundësuar ankesa, për shkak se në vendimin administrativ nuk ishte i paraparë mjeti juridik.

    Një lëshim i tillë është përgjegjësi e sektorit juridik të institucionit përkatës, dhe jo e Kryeinspektorit.

    Për më tepër, pala e dëmtuar tashmë ka ushtruar ankesën, çka e bën tërësisht të pabazë pretendimin e Prokurorisë për dëmtim procedural.

    Në praktikën gjyqësore në Kosovë, ka pasur shumë raste me lëshime të ngjashme dhe asnjëherë nuk është aplikuar një trajtim kaq ekstrem.

    Kjo ngre një pikëpyetje serioze: pse Prokuroria ka vepruar me kaq ngut dhe me një qasje kaq të ashpër në një rast që qartazi ka karakter administrativ?

    Për lëshimet tjera procedurale që kanë ndodhur në këtë rast, do të ushtroj ankesë në afatin e paraparë ligjor.

    Ky nuk është thjesht një rast individual – është një precedent i rrezikshëm që cenon të drejtat procedurale dhe sigurinë juridike.
    Një qasje e tillë nuk duhet të tolerohet!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!