Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duket se nuk ka ndërmend që ta shkarkojë ministrin e tij, Goran Rakiq për qëndrimet e tij pas aksionit kundër kontrabandës në Veri të Kosovës.
Kur është pyetur për shkarkimin e Rakiqit Kurti i ka bishtëruar pyetjes.
Madje ai ka thënë se shkarkimi do ta bënte çështje Rakiqin, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Qeveria jonë me veprimet tona e ka godit nervin e çështjes e ky është luftimi i krimit të organizuar korrupsionit e kontrabandës. Përveç se po kemi sukses me hetimet tona intensive në të njëjtën kohë po ndodh një demaskim gjigant i Serbisë sa i përket përpjekjes së saj destruktive me strukturat saj ilegale në Kosovë. Qartazi ne jemi në rrugën e drejtë dhe pikërisht për shkak se ne jemi në rrugën e drejtë Serbia e Vuçiqi nuk po arrin t’i mobilizojë serbët kundër veprimeve të drejta e të ligjshme të qeverisë tonë. Ne kemi goditur nervin e çështjes. Çështja nuk është Rakiqi. Shkarkimi i tij do ta bënte çështje”, ka thënë Kurti nga Prizreni.
Ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, njëherësh kryetar i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka ndërlidhur aksionin e djeshëm anti-kontrabandë të Policisë së Kosovës në veri të vendit me “Natën e Kristaltë” në Gjermani.
Këtë deklaratë, Rakiqi e ka thënë para takimit që pati me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dje në Rashkë, pas zhvillimeve në veri.
Rakiqi është shprehur se “Kjo është çështje jete a vdekjeje për të gjithë serbët dhe kjo është ‘Nata e Kristaltit për ne. Është derdhur gjak serb mbi xhamat e thyer”.
Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë për Gazetën Reporteri.net se në çdo shtet normal, kur një ministër sikur Rakiqi vepron kundër rendit kushtetues dhe juridik të shtetit që ai përfaqëson, do të mund të kishte pasoja edhe në aspektin penal.
Miftaraj ka thënë se më e pakta që mund të pritet nga një kryeministër është që një ministër të tillë si Rakiqi ta shkarkoj nga pozita e Ministrit.
“Shkarkimi do të ishte mesazh se nuk tolerohen sjellje dhe veprime ndaj askujt që cenon vlerat e mbrojtura me Kushtetutë. Përderisa sipas Kushtetutës së Kosovës dhe pritjeve të publikut në Kosovë, shkarkimi do të ishte vendimi më legjitim i mundshëm dhe që do të promovonte poashtu edhe ligjshmërinë në Kosovë, fatkeqësisht njëjtë nuk janë duke menduar edhe një pjesë ose disa zyrtarë të lartë të BE-së”, ka thënë Miftaraj për Gazetën Reporteri.net.
Tutje, njohësi i çështjeve të drejtësisë komentoi edhe deklaratën e djeshme të përfaqësuesit të BE-së, Josep Borrell, i cili aksionin në veri të vendit e ka quajtur “të njëanshëm dhe të pakoordinuar”.
Miftaraj theksoi se ajo që Borrelli tha dje, e sqaron arsyen se pse kryeministri Albin Kurti nuk po merr një vendim për shkarkimin e Rakiqit.
“Fatkeqësisht, BE përmes z. Borrell, dje dërgoj mesazhin se në çështjet kontestuese mes Kosovës dhe Serbisë, ky mekanizëm sakrifikon edhe vlerat bazë të vet ekzistencës së Bashkimit Evropian, si të drejtat dhe liritë e njeriut dhe sundimin e ligjit”, tha Miftaraj.
LDK e AAK kërkojnë që Kurti ta shkarkojë Ministrin serb
Deklarata e Rakiqit për “Natën e Kristaltë” ka ngjallur reagime të shumta.
Ish-kryeministri i vendit, Isa Mustafa, deklaroi se gjatë mandatit të tij si kryeministër kishte shkarkuar dy ministra të qeverisë, të komunitetit serb. Njërin për shkak të deklaratave të tij për nënat gjakovare dhe tjetrin për shkak të qëndrimeve të kundërta dhe të dëmshme kundrejt politikave të qeverisë, ku ai bënte pjesë.
“Nuk i kam shkarkuar për shkaqe të mospunës apo se ishin serb”, shtoi ish-kreu i LDK-së.
E deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka kërkuar shkarkimin e Ministrit Rakiq duke e quajtur obligim kombëtar.
“Deri kur duhet të vazhdojmë t’i paguajmë me taksat e qytetarëve tanë ata që çdo dit punojnë kundër shtetit tonë që e arritëm me sakrifica ndër breza. Shkarkimi i z. Rakiç është obligim kombëtar”, kishte shkruar ai në Facebook.
Reagim pati edhe nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili e ka quajtur të papranueshëm një krahasim të tillë.
“Stop! Krahasimi i aksionit të sotëm policor me ‘Natën e kristaltë’ është i papranueshëm. Krahasime të tilla kontribuojnë drejt narracionit të shtrembërimit dhe mohimit të Holokaustit. Mbroni faktet”, kishte shkruar ambasadori gjerman në Twitter, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Twittin e tij e shpërndanë në profilin e tyre edhe ambasada e SHBA-vë në Prishtinë.
“Nata e Kristaltë”
Më 9 nëntor 1938, nazistët gjermanë filluan terronin ndaj herbrenjve, atë që njihet si “Nata e kristaltë”.
Më 7 Nëntor 1938, një djalosh i ri hebre qëlloi për vdekje diplomatin gjerman Ernst von Rath në Ambasadën Gjermane në Paris. Akti erdhi si pasojë e revoltimit të të riut si pasojë e torturave që kishte filluar të shfaqte regjimi nazizt ndaj popullatës hebre. Familja e të riut ishte dëbuar dhunshëm për në Poloni me urdhër të autoriteteve naziste. Ngjarja bëri bujë në shtypin ndërkombëtar dhe bota që nga ajo natë ishte në panik. Dyqanet filluan të mbuloheshin me grafite antisemite. Ministri gjerman Joseph Goebbles urdhëroi që lajmi për vrasjen e Rathit të ishte në të gjitha gazetat ditore gjermane.
Ishte nata e 9 Nëntorit të vitit 1938, kur nazistët gjermanë filluan terrorin ndaj hebrejve në Gjermani dhe Austri, duke përdorur si pretekst pikërisht këtë ngjarje. Atë natë u dogjën më shumë se dyqind sinagoga, u përdhosën varrezat e hebrejve dhe u thyen gjithë dyqanet e tyre. Nga gjithë xhamat e thyer dhe të rënë nëpër tokë, që dukeshin si kristale në atë natë mizore 9 nëntori njihet në historinë moderne të njerëzimit si “Nata e Kristaltë” (Kristallnacht). /Reporteri.net/