×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryeparlamentari Konjufca uron homologen shqiptare Nikolla, e fton për vizitë në Kosovë

    Reporteri
    17 Shtator 2021 | 18:22

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka uruar znj. Lindita Nikolla, për zgjedhjen e saj në krye të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe njëherësh e ka ftuar atë për vizitë zyrtare në Kosovë.


    Telegrami i plotë:

    E dashura Kryetare Znj. Lindita Nikolla,

    Kam nderin që në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal t’ju përcjell urimet e mia më të sinqerta për sukses në detyrën tuaj të re, në krye të institucionit që, për nga rëndësia, me të drejtë e keni quajtur shtëpi e të gjithë shqiptarëve kudo që janë.

    Duke ndjekur prioritetet e institucioneve të reja në Shqipëri, të cilat nuk kanë shumë dallim nga ato në Kosovë e që lidhen me tejkalimin e krizës së shkaktuar nga pandemia, luftimin pa kompromis të krimit dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik, modernizimin shoqëror dhe integrimin evropian, shoh mundësi e potencial të gjerë bashkëpunimi mes dy parlamenteve, dhe më gjerësisht dy shteteve tona në mënyrë që t’i përshpejtojmë këto procese e të dalim sa më të suksesshëm prej tyre.

    Ju siguroj se tek unë dhe Kuvendi i Kosovës do të gjeni gjithnjë gatishmëri për bashkëpunim, dhe jam besimplotë se nën drejtimin tuaj marrëdhëniet mes dy shteteve bija të të njëjtit komb, do të shtohen e shpeshtohen, dhe bashkëpunimi ndërinstitucional do të përparojë edhe drejt projekteve që rrisin sigurinë, mirëqenien dhe potencialin e shqiptarëve në rajon.

    Me urimet më të mira për suksesin tuaj, dhe me ftesën që të na vizitioni, ju lus t’i pranoni konsideratat më të larta! ​

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!