×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryesuesi i bordit të AKP-së që u shkarkua sot: Nuk jemi hajna

    Reporteri
    27 Maj 2021 | 18:11

    Bajram Zejnullahu, kryesues i bordit tashmë të shkarkuar të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), tha për Radion Evropa e Lirë se gjatë periudhës sa ai ka udhëhequr bordin e kësaj agjencie, nuk ka pasur asnjë skandal që të etiketohen si ‘hajna’, ashtu siç i quajti kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.


    “Nuk kam koment, as unë e as familja ime nuk jemi etiketuar si hajna. Nuk di a ka argumente që na argumenton ai (kryeministri Kurti) si hajna. Për sa vite jam aty, nuk kemi pasur asnjë skandal të vetmit. Unë e kuptoj shumë mirë, politikisht të shkarkon dhe jemi në rregull. Por, në këtë formë me etiketime, nuk e kuptoj”, tha Zejnullahu.

    Zejnullahu ka qenë në krye të bordit të AKP-së nga viti 2019 dhe kishte një mandat katërvjeçar.

    Kuvendi i Kosovës, me rekomandimin e Komisioni parlamentar për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti më 27 maj e shkarkoi bordin e AKP-së.

    Ky Komision, po ashtu i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të propozojë përbërjen e re të bordit të AKP-së.

    Kjo çështje u fut ne rend të ditës me kërkesën e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas kësaj partie, AKP-ja nuk i ka shërbyer ekonomisë së Kosovës dhe ka pasur performacë të dobët në raport me investimet për zhvillim dhe nxitjen e punësimit.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën parlamentare tha se që të shuhet AKP-ja është e rëndësishme të shkarkohet bordi.

    “Se kanë vjedhur shumë, por ne nuk i lëmë të vjedhin më, kanë vjedhur me paga, kanë vjedhur në privatizim, janë paguar të vjedhin”, ka thënë Kurti.

    Një ditë më parë, bordi i AKP-së, përmes një reagimi publik ka konstatuar se deklaratat publike në lidhje me performancë të dobët, janë të pabazuara dhe tendencioze, andaj si të tilla i kanë konsideruar qëndrime politike të vetëm një grupi parlamentar.

    Qeveria e Kosovës në planin qeverisës katërvjeçar ka paraparë që AKP-ja të shuhet dhe të transfermohet në agjenci brenda qeverisë dhe të krijohet Agjencia Zhvillimore për udhëheqjen e politikave zhvillimore ndërmjet ministrive dhe agjencive të pavarura.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!