×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryetari i Preshevës mashtron banorët: Premtoi protestë për mos-hapjen e pikës kufitare, organizoi festë!

    Reporteri
    22 Qershor 2019 | 12:04

    Dita e parë e muajit korrik është data e cila së fundmi është proklamuar si dita kur do të hapet vendkalimi kufitar Miratoc-Llojan nga i pari i Preshevës, kryetari Shqiprim Arifi. Më shumë se një vit më parë një tubim i organizuar nga Komuna e Preshevës në fshatin Miratoc, në afërsi të vijës kufitare u pati proklamuar si protestë për hapjen e këtij vendkalimi e që PreshevaPRESS përmes një dokumenti të siguruar e demanton  udhëheqjen e Preshevë.


    Maji i vitit të kaluar ishte muaji që Shqiprim Arifi shfrytëzoi të rikthejë dhe premtojë edhe një herë hapjen e vendkalimit kufitar mes Serbisë dhe Maqedonisë që lidh vendbanimet e populluar nga shqiptarët, Miratoc-LLojan. Me rastin e ditës së Evropës ai pati ftuar një protestë gjithëpopullore në afërsi të kësaj pike kufitare me kërkesën për hapjen e saj, një premtim kryesor në propagandën e Shqiprim Arifit dhe Alternativës për Ndryshim.

    Gazeta pas më shumë se një viti nga realizimi i këtij aktiviteti ju sjell ekskluzivisht dokumentin e paralajmërimit të tij e që rezulton se Shqiprim Arifi keqpërdori dhe manipuloi banorët e fshatit Miratoc, pasi që ai pranë institucioneve të rendit kishte paralajmëruar festë me rastin e “9 Majit – Ditës së Evropës” dhe jo protestë gjithëpopullore.

    Në dokumentin që ka siguruar gazeta mes të tjerash thuhet se “Komuna e Preshevës, Ditën e Unionit Evropian – 9 majin planifikon ta festoj në mënyrën më të mirë të mundshme. Këtë ditë, Komuna jonë planifikon të organizojë në atë mënyrë që të i tregojë të gjitha vendeve të Unionit Evrpian që jemi popull i cili duan paqe, jetesën e përbashkët dhe që dëshiron të jetojë në një Evropë pa kufij“.

    Në dokumentin që ju sjell PreshevaPRESS ekskluzivisht, nuk përmendet askund kërkesa për hapjen e vendkalimit kufitar Miratoc-Llojan e as fjala protestë. Ato në këtë njoftim për organet e rendit referohen si ish vendkalimi kufitar Miratoc-Llojan dhe si festë për Ditën e Evropës.

    New Doc 2018-05-04 (4)

    Përveç informacioneve rreth aktivitetit në njoftim thuhet se “do të organizohet tubim për te festuar Ditën e Evropës, në të cilën do të marrin pjesë Kryetari  i Preshevës me kabinetin e tij, Kryetari i Kuvendit të Preshevës, anëtarë të Kuvendit Komunal dhe banorë të këtij vendbanimi.

    Protesta dhe kërkesa për hapjen e kufirit nuk përmendet as në pjesën ku shpjegohet programi i këtij tubimi. Në dokumentin që po ju sjell PreshevaPRESS për herë të parë thuhet se “Kryetari i Komunës së Preshevës do të mbajë një fjalim përmes të cilit do të urojë Ditën e Evropës, si dhe do të lëshojë disa balona me ngjyrë të bardhë dhe të kaltër, si dhe do të lëshojë disa pëllumba në “liri” si simbolikë e lëvizjes së lirë pa kufij“.

    Edhe pse PreshevaPRESS nga data 07.05.2019 ka dërgur dy pyetje drejt kryetarit dhe kabinetin e tij, kabineti i kryetarit dhe vet kryetari i Preshevës asnjëherë s`kanë kthyer përgjigje. PreshevaPRESS më 07.05.2019 ka pyetur: 1. Deri ku keni arritur me procedurat për hapjen e vendkalimit kufitar Miratoc – Llojan? dhe 2. Kur mendoni se do të realizoni përfundimisht hapjen e këtij vendkalimi kufitar?

    Data e premtuar dhe ndryshuar disa herë për hapjen e kufirit Miratoc-Llojan mbetet 1 korriku. Mbetet të shihet nëse kjo datë do të ndryshohet përsëri apo ky premtim do të mbetet si i parealizuar dhe dështim i një prej shtyllave kryesore të propagandës politike të Shqiprim Arifit dhe subjektit të tij politik. /PreshevaPress

     

     

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!