
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë u bë i ditur se vlera e koeficientit për vitin 2023 do të jetë 105, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në bazë të kësaj vlere, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese zë vendin e dytë si koeficient i lartë me 17.5, ndërsa pas saj vie kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka Nimani do të ketë një pagë prej 1837,5 euro, ndërsa Kurti me një pagë prej 1785 euro.
Kreu i ekzekutivit sot pas mbledhjes së Qeverisë tha se në Kosovë u bë rritja më e madhe e pagave ndonjëherë në vend.
“Nga viti në vit 20 deri në 25 milionë euro është rritur totali i pagave në sektorin publik kësaj here i kemi rritur në 105 milionë euro është rritja më e madhe ndonjëherë në Kosovën e pavarur. Kur pjesëtohet me numrin e zyrtarëve publikë kemi arritur te ky numër i koeficientit”, tha Kurti.
Ai u shpreh se tani e tutje nuk do të ketë stagnim të pagave, dhe se siç tha ai “pagat do të lëvizin sipas rritjes, punës e rezultateve që kemi të gjithë ne bashkë në rritjen ekonomike të vendit”.
Se koeficienti do të ndryshojë vitin e ardhshëm e tha Kryeministri Kurti, ndërsa bëri të ditur se ai do të jetë 110./Reporteri.net/