×
  • Lajme
  • Lajme / Energjia

    Kundërshtohet fuqishëm propozimi për shtrenjtimin e rrymës për 15%, përmenden protestat masive

    Reporteri
    15 Mars 2025 | 11:44

    Pak orë pasi ZRRE-ja njoftoi se ka propozuar shtrenjtimin e rrymës për 15 për qind duke filluar nga muaji prill, ka nisur një fushatë kundër këtij propozimi.

    “Asnjecentmeshume” është slogani i kësaj fushate që do të nisë për të kundërshtuar shtrenjtimin e rrymës.

    Iniciatori i kësaj fushate është Luan Hasanaj, i cili tha se shumica e qytetarëve nuk mund të përballojnë rritjen e çmimeve.

    “Miq, po e nisim nje fushate #ascnjecentmeshume per te e kundershtuar propopzimin e ZRRE-se per shtrenjtimin e energjise elektrike. Arsyet jane te bollshme,secili prej nesh i dine. Shumica e qytetareve te Kosoves nuk mund te e perballojne rritjen e çmimeve”, ka thënë Hasanaj.

    Për paralajmërimin e shtrenjtimit të rrymës ka reaguar edhe deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami duke thënë se Albin Kurti erdhi në pushtet me premtimin për lirimin e energjisë, por ndodhi ngritja më e madhe në histori në në qeverisjen e tij, shkruan Reporteri.net.

    “Kurti, Faturat e Energjisë dhe Bizneset ⚡📈
    Albin Kurti në vitin 2019 ka thënë:“Energjia duhet të lirohet, sepse është tepër e shtrenjtë kur flemë mbi gjithë këtë energji”.
    📌 Por çfarë ka ndodhur nën qeverisjen e tij?
    ✔️ Ngritja më e madhe e çmimit të energjisë në historinë e Kosovës!
    ✔️ Tani ZRRE propozon rritje tjetër prej 15% nga 1 Prilli 2025.
    💰 Çfarë do të thotë kjo për faturat tuaja?
    ➡️ Fatura e prillit 2025 për të njëjtën sasi të energjisë do të jetë 15% më e lartë se ajo e prillit të vitit 2024 dhe kjo rritje nuk është e vetmja!
    Sepse me vendim të ZRRE-së, KESCO ka nisur procedurat për të detyruar të gjitha ndërmarrjet që kanë mbi 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milionë euro në vit të dalin në treg të hapur.
    ⚠️ Pse është kjo problem? Sepse kjo do të thotë rritje e shumfisht e çmimit të energjisë për këto biznese, duke marrë parasysh faktin se pas daljes në treg të hapur, këto biznese do të furnizohen me energji kryesisht nga importi, me tarifa shumë më të larta, pasiqë në bazë të kontratës së privatizimit të distribucionit, KEK-u e ka obligim të furnizojë fillimisht KEDS/KESCO, duke i lënë bizneset në mëshirën e tregut të hapur dhe çmimeve të importit”, ka shkruar sot Bajrami.

    Ajo ka shtuar se vendimi për ngritjen e tarifave edhe për 15% është krejt absurd.

    “Pas gjithë kësaj vendimi për ngritjen e tarifave edhe për 15% është krejt absurd, sepse: pasi bizneset e mëdha largohen nga KESCO, kërkesa për energji ulet, që logjikisht duhet të sjellë ulje të tarifave, por ZRRE -ja e abstrahon këtë fakt dhe vendos rritje tjetër të tarifave për 15%!
    Sot pyetja është: kujt po i shërbejnë këto politika? 💡 Është kristal e qartë se përfituesit këtu janë vetëm KEDS/KESCO dhe tregtarët e energjisë në krye me Martin Berishajn. Po qytetarët?👥 • Ata do të paguajnë 15% më shumë për fatura nga 1 prilli. • Ata do të mbulojnë çmimin më të lartë të energjisë për bizneset përmes rritjes së çmimeve të produkteve dhe shërbimeve. Pra, Qeveria/ZRRE rrit shpenzimet, bizneset rrisin çmimet dhe qytetarët paguajnë më shumë dhe jo vetëm për energji”, ka shkruar ajo.

     

    Edhe Naim Rashiti nga Grupi i Ballkanit për Hulumtimin e Politikave ka reaguar ndaj propozimit të ZRrE-së për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.

    Ai ka thënë se kjo rritje e çmimit të rrymës e përgatitë ambientin për protesta masive, shkruan Reporteri.net.

    “Rryma, politika, mungesa e zhvillimit, cmimet, arsimi, komunikacioni, dalengadale po e pergatitin ambientin per protesta masive”, ka shkruar Rashiti.

    Ndërsa, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka ironizuar keq me Qeverinë Kurti pas paralajmërimit të ZRrE-së për shtrenjtimin e rrymës.

    Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se falë ‘Qeverisë së Shpresës’, shtrenjtimi e rrymës do të jetë vetëm 15 për qind, shkruan Reporteri.net.

    “Falë Qeverisë së Shpresës (të Albin Kurtit, domethanë), kësaj here rryma shtrenjtohet për vetëm 15%!. Për biznese të mesme dhe të mëdha më shumë! Shpresa ka emër! Prej humbjes në humbje deri në fitoren përfundimtare #KREJTdheDREJT!”, ka shkruar ai.

    Kujtojmë se vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind. Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

    Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

    Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë. /Reporteri.net/.

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!