Kryeministri në detyrë, Albin Kurti sot ka vizituar Aeroportin e Prishtinës me ç’rast ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është e interesuar që të funksionalizoj hapësirat e pashfrytëzueshme të Aeroportit të vjetër të Prishtinës duke i shndërruar në terminal doganor për regjionin e Prishtinës.
“Sivjet bëhen 7 vitë që këto hapësira të aeroportit të Prishtinës nuk shfrytëzohen dhe është një objekt tejet i përshtatshëm për terminal doganor për regjionin e Prishtinës në mënyrë që doganierët të vijnë këtu dhe terminali doganor të jetë jo vetëm në shtet por edhe në qytete”, tha Kurti.
Ai shtoi se terminalet private kanë tarifa të larta për kamionët por edhe e privojnë arkën tonë shtetërore.
“Diku 37 milionë euro i kanë të hyra 10 terminalet në pronësi private. Le t’ia fillojmë me këtë terminal doganor këtu në Prishtinë që është pak a shumë edhe gjeogrfikisht edhe në mes të Kosovës, për të vazhduar pastaj edhe në Mitrovicë dhe në Vërmicë. Qeveria e Republikës së Kosovës, unë si kryeministër në detyrë dhe ministri i financave shprehin interesimin që në një kohë sa më të shkurtër ta funksionalizojmë këtë ndërtesë për terminalin doganor të shtetit”, tha Kurti. /Reporteri.net/.