Kurti kërkon të rifillojnë gërmimet, thotë se eshtrat që janë zhvarrosur në Kizhevak janë viktima të luftës në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se institucionet kanë pranuar informata se mostrat e eshtrave që janë zhvarrosur në varrezat masive në Kizhevak i përkasin viktimave të luftës në Kosovë.


Kurti ka thënë se deri më tani ka dy identifikime të reja, për të cilat thotë se janë në komunikim me familjet e personave.

Në një shkrim në Facebook, Kurti ka thënë se presin që edhe viktima tjera të gjenden në Kizhevak.

“Varreza masive në Kizhevak të Serbisë ndërlidhet me varrezën masive në Rudnicë dhe ne presim që edhe personat e tjerë, viktimat nga masakra e Rrezallës e që janë në listën e personave të pagjetur, të gjenden në Kizhevak. Megjithatë kjo do të dihet pasi të përfundojnë gërmimet dhe zhvarrimet në këtë lokacion, si dhe të përfundojnë të gjitha ekzaminimet e nevojshme mjeko-ligjore. Andaj, është shumë me rëndësi që gërmimet të rifillojnë në këtë lokacion, dhe në lokacionet e tjera të mundshme të varrezave masive. Ne mbetemi të përkushtuar që të vazhdojmë punën tonë duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve, trajtimit më të mirë ligjor dhe institucional familjeve te tyre dhe të punojmë për vendosjen e drejtësisë”, ka thënë ai.

Kurti ka kujtuar sot masakrën e Kralanit dhe të Kizhevakut. Në

“Në masakrën e Kralanit u vranë 87 shqiptarë që ishin qytetarë të komunës së Klinës, Malishevës, Gjakovës dhe Skënderajt. Nga kjo masakër janë më shumë se 40 të zhdukur, vendndodhja e të cilëve ende nuk dihet. Ndërkaq, nga masakra e Rrezallës kemi 98 viktima, shqiptarë të ekzekutuar, banorë të këtij fshati dhe të fshatrave përreth. Rrezalla nga lufta e fundit kishte 44 të zhdukur, nga të cilët 2 viktima janë gjetur në ditët e para të pasluftës në Rrezallë dhe 29 viktima tjera janë gjetur në varrezën masive Gurorja në Rudnicë të Rashkës. Rrezallës i mungojnë edhe 10 persona të zhdukur gjatë luftës së fundit. Më 5 prill të vitit 1999 serbët rrethuan shtëpitë e këtyre familjeve dhe pushkatuan pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj. Nga masakra e Rezallës vetëm tre kanë shpëtuar të gjallë.

Andaj sot, krahas nderimit për të vrarët në masakrën e Rrezallës, ne duhet të kujtojmë me nderim edhe rrëfimet tragjike të të mbijetuarve. Duhet të kujtojmë edhe Bacën Misin Deliu, të mbijetuarin e masakrës, i cili nga viti 2019 nuk është më në mesin tonë, por ‘ai mbijetoi dhe rrnoi për të tregu’. Baca Misin në çdo përvjetor dhe mundësi që i është dhënë, ka rrëfyer historinë tragjike të një prej masakrave më mizore të kryera nga ushtria e Serbisë gjatë luftës në Kosovë. Ai rrëfente dhe fliste, sepse donte drejtësi. Prandaj drejtësia duhet të vendoset, krimet duhet të ndëshkohen”, ka thënë ai.