Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kosova Meriton anëtarësimin e plotë në Këshillin e Evropës, meqë thotë se i ka përmbushur plotësisht standardet, kriteret, kushtet dhe parakushtet e nevojshme, shkruan Reporteri.net.
Këtë deklaratë Kurti e ka dhënë në takimin me delegacionin danez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se Kurti shprehu mirënjohjen e thellë për delegacionin dhe angazhimin e tyre aktiv në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) në avokimin në përkrahje të Republikës së Kosovës.
“Ai rikujtoi votën pro në shumicë të përfaqësuesve nga Danimarka (4 nga 5) por edhe në total të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës – me 82 përqind të votave në favor – në prill të këtij viti, duke rekomanduar që Komiteti i Ministrave të ftojë Kosovën që të bëhet anëtare e plotë e organizatës. Kryeministri theksoi se ky rekomandim ishte një moment historik dhe i rëndësishëm, që reflekton përafrimin e Kosovës me standardet dhe parimet e Këshillit të Evropës”, thuhet në njoftim.
Kurti ka thënë se nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të përfitojnë të gjithë qytetarët, sidomos komunitetet jo shumicë të cilat përfitojnë nga qasja në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strazburg.
“Kryeministri foli edhe për raportet shumë të mira bilaterale mes Kosovës dhe Danimarkës dhe i falënderoi deputetët për kontributin e vazhdueshëm të Danimarkës në çlirim dhe zhvillim të Kosovës, duke theksuar orientimin e qartë të Kosovës për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian”, thuhet tutje në njoftim.