×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje

    Reporteri
    06 Dhjetor 2022 | 20:53
    © Armend Nimani/AFP/Getty Images

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se bandat kriminale i kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës.

    Kurti ka paralajmëruar prezencë më të shtuar policore atje, derisa ka thënë se “Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron” bandat kriminale, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Sipas Kurtit, këto banda paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

    “Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Ato e dinë se po ju vie fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore. Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje. Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj. Shkeljet e shumta të ligjit nuk do të falen kurse tendencat për destabilizim kriminal do të dështojnë. Në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë. Kërkoj nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të mbështesin shtetin dhe policinë e Kosovës, të gjithë zyrtarët tanë që po mbrojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, republikën dhe demokracinë”, ka shkruar Kurti.

    Policia e Kosovës ka deklaruar se grupet kriminale kanë sulmuar zyrat e komisionit zgjedhor komunal në Mitrovicë të Veriut, dhe të njëjtit po mundohen që shkaktimin e tensioneve t’ia atribuojnë PK’së. Këto dëmtime, thuhet se janë bërë nga njerëz të maskuar, me granata dore të prodhimit jugosllav.

    Përmes një komunikate për media, nga Policia e Kosovës kanë theksuar se janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes, ku kanë ndodhur shpërthimet dhe se po punojnë për t’i identifikuar sulmuesit, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.

    “Referuar gjendjes në teren ju njoftojmë se dëmtime të zyrave të komisionit zgjedhor komunal në Mitrovicë Veri janë bërë nga persona/grupe të dyshuar/a të maskuar, të dhunshëm të cilët kanë përdor mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav.

    Policia e Kosovës dhe KFOR-i (njësitet kompetente për deminim-EOD) janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes, për pastrimin e zonës, përderisa PK-ja është duke punuar me intensitet të lartë për identifikimin e këtyre personave të dyshuar dhe zhvillimin e hetimeve profesionale për sjelljen e kryerësve të këtyre veprave penale para organeve të drejtësisë”, bëhet e ditur në komunikatë.

    Tutje, në komunikatë përmenden edhe disa pseudo-raportime që janë bërë nga përfaqësues të të ashtuquajturëz Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, të cilat Policia e Kosovës i quan tendecioze.

    “Këto deklarime nga zyra serbe kanë për qëllim dëmtimin dhe krijimin e narrativave përmes të cilave atakohet profesionalizmi, legjitimiteti dhe misioni kushtetues i PK-së për rend dhe ligj në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet tutje.

    Megjithatë, sipas policisë, gjendja në veri të Kosovës është e qetë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!