Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se nuk ka dëmtim të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shtuar se marrëdhëniet që po ndërtohen janë më të fuqishme se kurrë më parë.
Mirëpo, shtoi se ai nuk u ngjason kryeministrave të tjerë, shkruan Reporteri.net.
“Nuk besoj që ka kurrfarë dëmtimi të marrëdhënieve. Është e vërtetë që unë nuk ngjasoj me kryeministrat që kanë qenë në Republikën e Kosovës para meje. Por unë besoj që marrëdhëniet që po i ndërtojmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë më të fuqishme se kurrë”, deklaroi Kurti.
Kurti e pranoi se ka “mospajtime sporadike” me ShBA’në, por tha se Shtetet e Bashkuara kanë shumë arsye që të jenë krenare me Republikën e Kosovës.
“Bashkëpunimi me ShBA’të është zgjeruar dhe është thelluar. Mospajtimet sporadike kurrë për vlera, parime e qëllime, por nganjëherë strategji, taktika dhe operacione bëhen lajme të mëdha. Por, unë besoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shumë arsye që të jenë krenare me Republikën e Kosovës më shumë se asnjëherë më parë, e për zhvillimin dhe ndërtimin e së cilës kanë kontribuar si askush tjetër”, tha Kurti në një intevistë për Zërin e Amerikës.
Ndryshe, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, para një jave tha se se SHBA-ja është sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij në disa aspekte.
“Duhet të them se cilësia e partneritetit tonë nuk është ajo që do të shpresonim të ishte në disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si ai trajton veriun dhe si ai e menaxhon dialogun”, deklaroi Hovenier.
Ai shtoi se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë në veri e zvogëlojnë entuziazmin e SHBA-së për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj euroatlantike.