×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: Përgjegjësi institucionale dhe vetëdijësim shoqëror për adresimin e dhunës seksuale gjatë luftës

    Reporteri
    19 Qershor 2021 | 19:21

    Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, kryeministri, Albin Kurti, së bashku me deputeten, Vasfije Krasniqi, dhe zëdhënësen e Qeverisë, Rozafa Kelmendi, vizituan Komisionin qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare të Kosovës.


    Kurti u njoftua nga afër për punën e këtij komisioni, në një proces të ndjeshëm dhe tejet të rëndësishëm për të ardhmen e të mbijetuarve, familjeve të tyre, dhe për gjithë shoqërinë.

    “Ne nuk mund ta imagjinojmë tmerrin që kanë përjetuar personat që i kanë mbijetuar dhunës seksuale gjatë luftës, pasuar me ndrydhjen e pasluftës. Janë viktimizuar sërish nga stigma dhe mos intervenimi institucional për të trajtuar këtë krim të kryer gjatë luftës në Kosovë, këtë armë lufte të përdorur nga okupatori,” tha kryeministri Kurti.

    “Kombinimi i përgjegjësisë institucionale dhe vetëdijësimit shoqëror mund të sjellë rezultatet që duam, për të tejkaluar sfidat për realizimin e mandatit të këtij komisioni dhe nxitjen e aplikimit për realizimin e së drejtës së tyre të garantuar me ligj”, shtoi ai.

    Kurti ritheksoi domosdoshmërinë e thirrjes së vazhdueshme për personat e mbijetuar, që të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre, dhe që këto thirrje të arrijnë kudo që të mbijetuarat/it mund të jenë.

    Në takim ishin të pranishëm kryetarja e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës Çlirimtare të Kosovës, Minire Begaj-Bala, anëtarët e komisionit, së bashku me përfaqësueset organizatave joqeveritare të autorizuara për të ndihmuar në procesin e aplikimit: Feride Rushiti, drejtoreshë e QKRMT-së dhe Mirlinda Sada, drejtoreshë e Medica Gjakova, si dhe anëtarët e sekretariatit të këtij komisioni qeveritar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!