Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se plani i zbatimit të propozimit evropian mbase nuk duhet të diskutohet vetëm në Ohër. Ai është shprehur optimist për këtë takim, por ka shtuar se kjo nuk varet vetëm prej tij.
“Ne e dimë qëndrimin e Serbisë, por unë duhet t’i referohem asaj që jemi marrë vesh. Plani i negocimit duhet të negociohet në Ohër, dhe jo vetëm në Ohër. Jam optimist por se a do të ketë sukses a jo nuk varet prej meje. Unë kam ofruar që edhe më 27 shkurt ta nënshkruaj propozimin e BE-së. Nëse nuk ka pasur sukses, asnjëherë nuk ka qenë për fajin tim sepse unë kam qenë i përkushtuar, kreativ dhe konstruktiv”, u shpreh Kurti.
Kurti ka komentuar edhe për deklaratën e ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak, i cili teksa po qëndron në Serbi ka folur për parakushtet për zbatimin e planit evropian duke përmendur duke përmendur Asociacionin e komunave me shumicë serbe si kusht kryesor.
Lajçak madje citohet të ketë thënë se “nëse nuk ka Asociacion, nuk ka marrëveshje”, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
Kryeministri Kurti para gazetarëve ka komentuar këtë deklaratë.
“Ne jemi dakorduar për propozimin evropian, iniciativë franko gjermane i mbështetur nga SHBA-ja dhe Britania dhe aty janë pesë fjali në preambulë dhe 11 nene gjithsej. Le ta diskutojmë planin e zbatimit. Unë mendoj se Serbia shtynë shumë përpara Asociacionin apo Zajednicën. Ajo është në nenin 10, njëra prej 33 marrëveshjeve. Në fakt kur kam shikuar tash së fundmi, bashkë me konkluzionet që janë bërë në Bruksel del se që nga 2 korriku i vitit 2011 deri më 25 gusht 2015 janë 39 marrëveshje dhe Asociacioni përbën gjashtë pikat e para të marrëveshjesh 15 pikëshe, e cila është e 16-ta prej 39 marrëveshjeve”, ka thënë Kurti. /Reporteri.net/