×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: Serbia i ka dy zgjidhje, ta njohë Kosovën ose të rreshtohet kah Putini – besoj se do të jetë e para

    Reporteri
    02 Mars 2023 | 10:48
    Kryeministri Albin Kurti. Fotografi nga arkivi.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Serbia i ka dy zgjidhje: Ose ta njohë Kosovën, ose të rreshtohet pas Putinit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Kurti thonë se këtu është vetëm një opsion realist, që shteti serb ta njohë pavarësinë e Kosovës.

    Këtë ai thotë se e do edhe një masë qytetarësh në Serbi, të cilët duan marrëdhënie të mira fqinjësore.

    “A do të na njohë Serbia? Dy zgjidhje i ka: ose të shkojë pas Putinit ose të na njohë. E, në fakt, mendoj se është vetëm një opsion realist: që të na njohë. Në Serbi kam bindjen se ka një masë qytetarësh të cilët duan marrëdhënie normale fqinjësore, zhvillim dhe ecje përpara drejt Evropës së bashkuar. Pra, një grup që e dëshiron dhe e pranon njohjen e Kosovës. Por, aktualisht atje sundon pjesa tjetër, ajo që është e lidhur fort me Rusinë, me nëntokën ballkanike, me oligarkët, me autokracinë. Unë mendoj se megjithatë edhe në Serbi në fund do të fitojë kahja demokratike dhe Serbia do ta njohë Kosovën e do të kemi fqinjësi të mirë”, ka thënë Kurti në një intervistë për revistën “Shenja” të Maqedonisë.

    Kujtojmë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u pajtuan të hënën në Bruksel për ta çuar para procesin e dialogut përmes pranimit të propozimit të Bashkimit Evropian, ndonëse i njëjti nuk u nënshkrua nga të dy liderët.

    Propozimi, i cili edhe u bë publik për herë të parë të hënën, përmban gjithsej 11 nene. Pos marrëveshjes bazë, propozimi përmban edhe planin e zbatimit.

    Takimi i radhës i Nivelit të Lartë është paraparë të zhvillohet më 18 mars në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

    Diskutime të vështira gjatë muajve në vijim paralajmëroi kryeministri i vendit, Albin Kurti pas kthimit nga Brukseli. Kurti gjatë ditës së djeshme tha se nuk ka hequr dorë nga njohja reciproke.

    “Nuk kemi hequr dorë nga asgjë dhe do të vazhdojmë për qytetarët e Kosovës. Na presin takime e diskutime të vështira në muajt në vazhdim. Jam i hapur për çdo raportim në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Kurti.

    Kryeministri ka konfirmuar se palët ndërmjetësuese të dialogut janë të përkushtuar që gjatë muajit mars të ketë marrëveshje për propozimin në fjalë. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!