Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës së tij në Instutin Francez sot në Prishtinë, nuk pranoi pyetje nga gazetarët që ishin të pranishëm aty, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
E për Urën e Ibrit, për të cilën kreu i ekzekutivit kosovar vazhdimisht thoshte se do të hapet së shpejti, pasi s’ka arsye të mos ndodhë, kësaj radhe Kurti s’pati një përgjigje.
I pyetur se “çfarë u bë me Urën e Ibrit”, i pari i qeverisë s’pranoi të përgjigjet.
“Këtu jemi në Institutin Francez, për tema të tjera flasim nga kryeministria. E di që ju keni shumë interesim, por jo. Për të gjitha pyetjet e tjera, përgjigjen e merrni nga kryeministria”, tha Kurti para gazetarëve.
Hera e fundit kur Kurti ka folur për Urën e Ibrit, ishte ajo në mbledhjen e së mërkurës së Qeverisë së Kosovës. Kurti kishte deklaruar se janë duke i bërë të gjitha konsultimet për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit.
Lidhur me çështjen e hapjes së Urës së Ibrit, partnerët ndërkombëtarë kanë kërkuar nga Qeveria Kurti që të mos marrë veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara të cilat sjellin pasoja negative te një pakicë njerëzish.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.