Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka mirëpritur në takim Drejtorin Politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Günter Sautter.
Përmes një komunikate për media, thuhet se gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin rajonal, dialogun në Bruksel dhe integrimet euro-atlantike, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Kryeministri e falënderoi Sautter për vizitën dhe shprehu mirënjohjen e tij për ndihmën dhe mbështetjen diplomatike, ushtarake dhe ekonomike të Gjermanisë e cila ka qenë thelbësore për çlirimin, pavarësimin dhe ndërtimin e zhvillimin e vendit tonë. Gjatë takimit u diskutua për forcimin dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe për bashkëpunimin rajonal, dialogun në Bruksel dhe integrimet euro-atlantike”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, bëhet e ditur se kanë biseduar edhe për rezultatet e Procesit të Berlinit, përfshirë gjashtë takimet ministeriale.
Teksa në përfundim, Kurti e ka uruar Sautter për pozitën e re në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe i ka ofruar bashkëpunimin e plotë në avancimin e agjendës së përbashkët në mbrojtjen dhe avancimin e demokracisë dhe lirive themelore.
/Reporteri.net/.