×
  • Lajme
  • Lajme

    “Kushtetuesja, dorë e zgjatur e opozitës”, Kryetarja: Pala humbëse gjithmonë ka kritika, koha do të dëshmojë profesionalizmin e gjykatës

    Reporteri
    12 Shkurt 2024 | 20:59

    Akuzave se Gjykata Kushtetuese është dorë e zgjatur e opozitës së tanishme, iu ka përgjigjur kryetarja e Gjykatës, Gresa Caka-Nimani.

    Ajo ka thënë se të gjitha partitë opozitare ndër vite e kanë përdorur të drejtën kushtetuese për t’iu drejtuar në Gjykatën Kushtetuese, duke kontestuar aktet e autoriteteve publike dhe jo vetëm aktet apo ligjet e dërguara në Kuvend.

    “Të gjitha partitë politike, kanë humbur apo fituar raste të rëndësishme në Gjykatë. Sigurisht, pala humbëse gjithmonë ka kritikuar gjykatën. Është në natyrën vendimmarrëse të Gjykatës Kushtetuese dhe jo vetëm edhe në gjykatat e rregullta që gjithmonë ka një palë humbëse, prandaj në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese asnjëherë nuk është me rëndësi pritja e palëve para gjykatës apo perceptimi publik që mund të pasojë pas një vendimmarrje të Gjykatës”, ka thënë ajo.

    Po të ndodhte kjo, sipas kryetares do të ishte në kundërshtim të plotë me konceptin e pavarësisë dhe paanshmërisë se Gjykatës Kushtetuese, roli i të cilës është mbrojta dhe interpretimi.

    “Udhërrëfyesi i vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese është testi i kohës. Është vetëm koha ajo që tregon nëse një vendim ka qenë i drejtë apo jo. Dhe është vetëm koha ajo që e balancon perceptimin e mundshëm që Gjykata Kushtetuese mund t’i shërbejë një partie apo një partie tjetër politike”, tha Caka-Nimani.

    Ndërsa, theksoi se janë tri vendime të Kushtetueses që nuk janë zbatuar.

    “Sigurisht që Kosova e meriton vendin e saj në Këshillin e Evropës dhe në fakt puna e Gjykatës Kushtetuese, praktika e saj gjyqësore ndër vite, është argument shtesë në këtë aspekt. Për më tepër, që në fakt, rendi juridik i Republikës së Kosovës qëndron jashtëzakonisht mirë me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, tha Caka-Nimani.

    Këtë deklarim, ajo e bëri duke theksuar se Kushtetuesja ndër vite ka nxjerrë vendime, me ndikim të jashtëzakonshëm në dinamikën institucionale të Republikës së Kosovës.

    “Vendim këto që kanë rezultuar gjithashtu në ndryshime rrënjësore në kontekst të bartësve të pushtetit legjislativ edhe pushtetit ekzekutiv, dhe të gjitha forcat politike, institucionet e Republikës së Kosovës kanë respektuar këto vendime dhe transferi i pushteteve është bërë në harmoninë e duhur dhe kjo flet për nivelin e demokracisë në Republikën e Kosovës”, tha Caka-Nimani.

    Sipas saj, nga statistikat e Gjykatës që përditësohen vazhdimisht, reflekton që aktualisht mund të jenë tre vendime të Gjykatës Kushtetuese të cilat nuk janë zbatuar.

    “Këto janë, vendimi i njohur si ai i Fabrikës së Tubave i vitit 2010, vendimi lidhur me Manastirin e Deçanit i vitit 2016 dhe një kërkesë tjetër individuale që ndërlidhet me një kontekst pronësor në Komunën e Obiliqit të vitit 2017. Sigurisht, që këto vendime duhet të zbatohen dhe kjo nuk është çështje e vlerësimit tim, kjo është çështje që përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Për më tepër që zbatimi i vendimeve gjyqësore është ndër parimet thelbësore të parimit të sigurisë juridike, sundimit të ligjit dhe demokracisë. Këto parime janë po ashtu jashtëzakonisht mirë të vendosura në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së”, tha Caka-Nimani.

    Kryetarja e Kushtetuese tha se Gjykata i ka marrë masat që i takojnë asaj me Kushtetutë, Ligj dhe rregullore të punës dhe se hapat e mëtejshëm për zbatimin e vendimeve iu takojnë autoriteteve tjera të Republikës së Kosovës.

    Duke folur për çështjen e vonesës në disa vendime, ajo tha se kjo sqarohet duke u bazuar në tri arguemente.

    “E para, natyrën e afateve vendimmarrëse për Gjykatën Kushtetuese siç janë të përcaktuara me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese. E dyta, shpejtësinë, përkatësisht mesataren e afatit vendimmarrës në Gjykatën Kushtetuese dhe së treti, detyrimin për balancimin e efikasitetit dhe cilësisë në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese”, tha Caka-Nimani.

    Neni 43.3 i Ligjit për Gjykatën Kushtetuese specifikon se në rast kur ligji apo vendimi i miratuar nga ana e Kuvendit kontestohet sipas nenit 113, par .3 i Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese duhet të nxjerrë vendim mbi kontestin jo më vonë se 60 ditë pas dorëzimit të kërkesës. /Betimi për Drejtësi/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!