×
  • Lajme
  • -->
    Lajme / Hagë

    Kushtetuesja e Speciales merr vendim për ankesat e Salih Mustafës, disa ia shpall të papranueshme e disa ia rrëzon

    Reporteri
    17 Prill 2025 | 16:17
    Salih Mustafa, ish-Komandant në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës

    Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese ka hedhur poshtë ankesën e Salih Mustafës, lidhur me pretendime për shkelje të të drejtave dhe lirive të tij në lidhje me procesin penal kundër tij në Hagë, shkruan Reporteri.net.

    Në njoftim thuhet se është konstatuar se nuk shkelje të Kushtetutës së Kosovës apo të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e Të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.

    “Në aktvendim, Dhoma e Gjykatës Kushtetuese i shpalli të papranueshme një numër ankesash të tij, kurse të tjera i rrëzoi”, thuhet në njoftim.

    Mustafa ishte ankuar për shkelje të së drejtës së tij për gjykim të drejtë si pasojë e mungesës së arsyetimit prej Trupit Gjykues dhe Panelit të Apelit në lidhje me verdiktin e fajësisë së tij për vrasje të paligjshme.

    “Në lidhje me këtë, Dhoma e Gjykatës Kushtetuese nuk konstatoi gabime faktike ose ligjore në arsyetimin e dhomave penale që do të vinin në pikëpyetje konstatimet e tyre. Gjithashtu u theksua se procesi ballafaques kishte qenë në të mirë të z. Mustafa në këtë aspekt. Rrjedhimisht ankesa u shpall e papranueshme”, thuhet në njoftim.

    Mustafa ishte ankuar edhe se Paneli i Gjykatës Supreme nuk kishte identifikuar me saktësi dispozitën ligjore më të butë për dënimin e tij kur përjashtoi që ligjin që kishte qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprave penale.

    “Në lidhje me këtë, Dhoma e Gjykatës Kushtetuese kujtoi se mbi bazën e nenit 162(1) të Kushtetutës së Kosovës, Dhomat e Specializuara funksionojnë në pajtim me kornizën e tyre ligjore brenda sistemit juridik të Kosovës. Rrjedhimisht të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kapitullin II të Kushtetutës vlejnë në kontekst të kësaj kornize autonome. Gjithashtu u konstatua se i vetmi ligj detyrues në fuqi lidhur me dënimin në Dhomat e Specializuara është Ligji nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe

    Zyrën e Prokurorit të Specializuar, që nuk u kërkon trupave gjykues të zbatojnë ligje të tjera të Kosovës në dhënien e dënimeve për krime ndërkombëtare, por vetëm t’i mbajnë parasysh ato ligje. Për këtë arsye u konstatua se pretendimi i z. Mustafa për shkelje të Kushtetutës së Kosovës ose të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e Të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, nuk qëndronte”, thuhet tutje në njoftim.

    Ankesa tjetër ishte se vendimi i Panelit të Gjykatës Supreme për të lejuar Mbrojtësin e Viktimave që të paraqiste përgjigje me shkrim ndaj kërkesës së tij për mbrojtje të ligjshmërisë kishte shkelur të drejtat e tij për gjykim të drejtë.

    “Dhoma e Gjykatës Kushtetuese konstatoi se asgjë në ankesën e Mustafës nuk krijonte perceptimin e shkeljes së një të drejte kushtetuese. Dhoma gjithashtu theksoi se z. Mustafa nuk e kishte ngritur këtë problem para Panelit të Gjykatës Supreme dhe rrjedhimisht nuk kishte shfrytëzuar të gjitha mjetet e efektshme sipas ligjit në lidhje me këtë. Si pasojë, ankesa u shpall e papranueshme”, përfundon njoftimi./Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!