×
  • Lajme
  • Lajme / Në ora 10:30
    INSTANT

    Kuvendi i Kosovës sot tenton për të 35-ën herë të konstituohet

    Reporteri
    21 Qershor 2025 | 7:59

    Kuvendi i Kosovës do të mblidhet edhe sot në përpjekjen e 35-të për konstituim të legjislaturës së nëntë parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Seanca është caktuar të nisë nga ora 10:30.

    Në seancën e para dy ditëve, mungoi kuorumi për formimin e një komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit që e propozoi kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

    Kjo ishte hera e 26-të që dështoi formimi i këtij komisioni përmes të cilit partia e parë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, synoi të zëvendësojë hedhjen në votim të kandidates së tyre për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, meqë për disa seanca radhas s’arriti t’i merrte votat e nevojshme.

    Partia Demokratike e Kosovës,  Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe nuk propozuan nga një anëtar për formimin e këtij komisioni.

    Edhe pas dështimit të 34-të partitë politike në prononcimet pas seancave nuk dhanë shenja se do të ketë ndryshim qëndrimesh.

     

    Kadrijaj: Vetëvendosje qëllimisht po e pengon konstituimin e Kuvendit

    Reporteri
    21 Qershor 2025 | 11:45

    Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po e zvarrit qëllimshëm konstituimin e Kuvendit.

    “Nuk mund të pranojmë abuzimin që po e bën VV-ja në vazhdimësi, që për 35 herë me radhë të mos konstituohet Kuvendi. Po e shohim se qëllimshëm janë duke e bërë”, ka deklaruar Kadrijaj.

    Sipas saj, konstituimi i Kuvendit do të mundësonte funksionalizimin e komisioneve parlamentare dhe mbikëqyrje më efektive të punës së qeverisë, veçanërisht në çështje jetike për vendin si kriza e energjisë dhe ajo ekonomike.

    “Nëse konstituohet Kuvendi, vazhdojmë me komisione parlamentare dhe do të kishim pasur një mbikëqyrje më të mirë të qeverisjes, dhe të mos kemi abuzime të tilla, siç është duke ndodhur me këtë krizën e energjisë, krizën ekonomike sepse do të kishim zhvilluar debate të qarta për krejt këto se çka po ndodhin”, tha ajo pas dështimit të përpjekjes së 35-të për të konstituar Kuvendin.

    Përpjekja e 36-të do të mbahet të hënën nga ora 11:00. /Reporteri.net/.

    Çitaku: Për Albin Kurtin pushteti është më i rëndësishëm se shteti

    Reporteri
    21 Qershor 2025 | 11:14

    Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka folur për media pas dështimit të 35’të për ta konstituuar Kuvendin.

    Çitaku i bëri thirrje publike Lëvizjes Vetëvendosje për reflektim, duke shtuar se Kosova është buzë kolapsit.

    Ndër tjerash, deputetja e PDK-së tha se egoja e Kurtit është më e madhe se Kosova.

    “Për Albin Kurtin pushteti është më i rëndësishëm se shteti, egoja është më e madhe se Kosova, ambicia është më e rëndësishme se demokracia, kjo situatë duhet të marrë fund dhe presim nga VV që të reflektojë”, tha Çitaku.

    Deputetja e PDK-së paralajmëroi për pasojat e rënda që po i shkaktohen vendit nga vonesat në ndërtimin e institucioneve të reja.

    “Kosova është buzë kolapsit. Çdo ditë kemi lajme për dëmin e pariparueshëm që kjo situatë po i shkakton ekonomisë. Dje pamë lajme të frikshme për krizën buzë kolapsit në sektorin e energjisë”, theksoi Çitaku.

    Seanca është shtyrë për të hënën në ora 11:00. /Reporteri.net/.

    Vazhdon ngërçi, dështon konstituimi i Kuvendit për të 35-ën herë

    Reporteri
    21 Qershor 2025 | 11:04

    Ka dështuar edhe përpjekja e 35-të për konstitutuimin e Kuvendit.Lëvizja Vetëvendosje as sot nuk i kishte numrat për ta ndryshuar formën e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, në votim të fshehtë, shkruan Reporteri.net.

    Partitë tjera, si PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe s’kanë propozuar fare anëtarë për Komisionin për votim të fshehtë.

    “Nuk ka propozime”, deklaroi Kryesuesi Avni Dehari.

    Kur është hedhur në votim përbërja e komisionit, ata s’kanë marrë pjesë fare në proces.

    “51 deputetë për, kundër një, abstenime s’ka. Nuk ka kuorum. Shihemi më 23.06.2025 në orën 11:00”, tha Dehari.

    Në dështim të votimit të Komisionit, Dehari ka ndërprerë seancën.

    E propozuara e VV’së për këtë pozitë vazhdon të mbetet Albulena Haxhiu./Reporteri.net./

    Limaj: Është koha që qytetarët të shikojnë kujt po ia japin besimin

    Reporteri
    21 Qershor 2025 | 10:43

    Kryetari i Nisma Socialdemorakte, Fatmir Limaj, ka thënë para fillimit të seancës se për tema nacionale duhet të ulet dhe të bisedohet për të gjetur zgjidhje

    Ai tha se është e habitshme çfarë po ndodh tash e sa muaj.

    “Kjo është e habitshme çka po ndodh. Me u zgjedh, me kërku me bo vendin më mirë, e me bë tërë atë fushatë, me garu kush është më patriot, e me ta dhënë populli besimin, e mos me qenë në gjendje me u ul grupet politike me ndërtu qeveri, parlament e institucione – në kohën kur bota është trazuar, në krizë ekonomike të madhe,” u shpreh Limaj.

    Ai tha se situata e tanishme nuk mund të vazhdojë pa pasoja dhe kërkoi një reflektim të përgjithshëm.

    “Në krejt këtë situatë, apeli im te qytetarët është: shikoni kujt po ia jepni besimin. Është koha me adresu përgjegjësinë”, tha ai. /Reporteri.net/.

    Arben Gashi: Kurti dhe partia e tij duhet ta gjejnë zgjidhjen

    Reporteri
    21 Qershor 2025 | 10:16

    Deputetët kanë nisur të shkojnë në Kuvend në përpjekjen e 35-të për ta provuar konstituimin e institucionit ligjvënës.

    Para gazetarëve foli deputeti i LDK-së, Arben Gashi i cili tha se Lëvizja Vetëvendosje dhe kreu i saj duhet të gjejnë zgjidhje për situatën e krijuar.

    “Veç një parti e ka zgjidhjen, Kurti dhe partia e tij duhet të gjejnë zgjidhjen”, tha Gashi, shkruan Reporteri.net.

    Ai tutje tha se është e papranueshme që Kosova ende nuk ka institucione.

    “Fatkeqësisht është e turpshme ajo që po ndodh, bota o kallet flakë, e ne po shtyhemi mes vete kush çfarë pozite po merr. Duhet t’i vijë fundi sa më shpejt kësaj situate. Është e papranueshme gjendja në të cilën ka hyrë vendi”, tha Gashi.  /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!