×
  • Lajme
  • Lajme

    Kuvendi mblidhet përsëri të enjten

    Reporteri
    17 Maj 2021 | 16:25

    Kuvendi i Republikës së Kosovës, të enjten, më 20 maj në orën 10:00 do të mblidhet në seancë të rregullt plenare.


    Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarë të grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.

    Në seancën e të enjtes, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të ketë interpelancë me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në lidhje me shtesat e pensionistëve, stafit shëndetësor dhe institucioneve të sigurisë.

    Pas interpelancës, Kryesia vendosi pikë të rendit të ditës edhe propozimin e Avokatit të Popullit bashkë me rekomandimet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në lidhje me zgjedhjen e 5 zëvendës-avokatëve të Popullit.

    Kryesia po ashtu futi si pikë të rendit të ditës në seancë votimin lidhur me përbërjen e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim.

    Ndërsa Kryesia vendosi që debati parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19, pikë që nuk ishte diskutuar në seancën e 6 majit për shkak të mungesës së iniciuesit, si dhe debati parlamentar në lidhje me situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID—19, të zhvendosen për një datë tjetër.

    Në mbledhjen e sotme, Kryesia po ashtu procedoi për në Qeveri Projektligjin për ndryshimin e Ligjit nr.05/L-132 për Automjete. Po ashtu miratoi raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2020 dhe raportin e shpenzimeve të Kuvendit për tremujorin e parë të vitit 2021, konform rekomandimeve të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere.

    Kryesia shqyrtoi edhe çështje tjera që kanë lidhje me fushë-veprimtarinë e Kuvendit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!