Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka njoftuar për takimin që pati të martën në Bruksel, me Këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, në kuadër të bisedimeve për dialogun Kosovë-Serbi.
Lajçak tha se me Cholletin foli për zhvillimet në dialog dhe Ballkan Perëndimor, si dhe takimin mes Bislimit dhe Petkoviqit, që ai e ndërmjetësoi, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ai shtoi se në takim u dakordua që implementimi i marrëveshjes të fillojë menjëherë.
“Mirë të diskutohet zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor me këshilltarin Chollet në Bruksel. E informova mbi dialogun dhe takimin e sotshëm të kryenegociatorëve. U pajtuam për nevojën e implementimin të menjëhershëm në mirëbesim”, shkroi Lajçak.
Good to discuss the latest developments in the Western Balkans with @CounselorDOS in Brussels. I updated him on the Dialogue and today’s Chief negotiators’ meeting. We agreed on the need for immediate implementation in good faith. pic.twitter.com/efh81RwHn5
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) April 4, 2023
Gjatë ditës së sotme, shefi i ekipit negociator të Kosovës, Besnik Bislimi, ka marrë pjesë në takimin në Bruksel të zhvilluar në nivel të kryenegociatorëve, në të cilin u diskutua zbatimi i marrëveshjes së dakorduar në Ohër.
Si fillim, pas takimit, Bislimi njoftoi se data 22 prill do të shënojë takimin e radhës në nivelin e lartë politik mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq.
Mirëpo, i njëjti tha se ka indikacione që presidenti i Serbisë nuk është i gatshëm, ndaj data edhe mund të shtyhet.
Kryenegociatori Bislimi njoftoi se është biseduar edhe për hapat të tjerë në sekuencimin e marrëveshjeve bazike, siç është marrëveshja për të pagjeturit, e njohjes reciproke të diplomave, mospengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare nga ana e Serbisë.
Sidoqoftë, pavarësisht se Petar Petkoviq, nga pala serbe, deklaroi se në takim u diskutua edhe për hapat e parë në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një gjë të tillë Bislimi nuk e konfirmoi. /Reporteri.net/.