LDK para vendimit për Vjosa Osmanin presidente – Lutfi Haziri në rolin e ‘ndërmjetësuesit’ për ta bindur Agim Veliun

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës sot ka mbajtur një takim afër tre orësh ku temë kyçe ka qenë votimi apo jo i Vjosa Osmanit për presidente të vendit.


Pas takimit, nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, në një deklarim para mediave la të kuptohet se partia e tij do të marrë pjesë në votim në seancën kur zgjidhet presidenti.

Haziri ka thënë se qëndrimi i kryesisë është që të qëndrohet në sallë, ndërkohë që nesër kryetari Lumir Abdixhiku do të takohet edhe me grupin e deputetëve të këtij subjekti për t’ia bërë të ditur qëndrimin e Kryesisë.

“Kryetari i LDK-së dhe lidershipi nesër do të takohen me grupin e deputetëve që pjesëmarrja në seancë të jetë në frymën kushtetuese dhe duke krijuar frymë dhe angazhim dhe stabilitet politik në këtë vend. Ne do të punojmë që të dalim unanim, na duhet si çdo herë që veprimi jonë i përbashkët të jetë arma jonë politike”, pohoi Haziri.

Pak orë pas kësaj deklarate, Haziri ka takuar në një nga lokalet e Prishtinës, deputetin Agim Veliun.

Ky i fundit është një nga emrat që raportohet se kundërshton votimin e Vjosa Osmanit pë presidente. Dhe pikërisht ky takim i Hazirit me Veliun shihet si tentim për ta zbutur atë që ta jap votën për Osmanin që LDK të dalë unifikuese, shkruan Reporteri.net.

Përveç Veliut, raportohet se kundër Osmanit janë deputetët, Avdullah Hoti e Driton Selmanaj.

Megjithatë nesër përfundimisht do të mësohet nëse LDK-ja do ta japë votën apo jo, pasi kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, do të takojë grupin parlamentar.

Ndryshe, Haziri sot para gazetarëve konfirmoi se gjatë vikendit janë takuar me Vjosa Osmanin ku kanë biseduar për këtë çështje dhe nuk ka arsye të zhvillohen takime tjera.

“Jemi taku në vikend, janë shterr arsyet dhe nevojat që të kemi takime të tjera”, tha Haziri. /Reporteri.net/.